Arbëri

COVID-19: Korriku i rëndë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Vdekja e parë si pasojë e koronavirusit në Kosovë është shënuar më 22 mars, kur një 82 vjeçar nga Dumnica e Podujevës humbi betejën me këtë sëmundje.

Nga kjo ditë e deri më 1 korrik, pra për 3 muaj e një javë, vdiqën 54 pacientë si pasojë e koronavirusit.

Deri këtu, Kosova ishte ndër të fundit për numrin e të infektuarve dhe të vdekurve.

Ditët e rënda për Kosovën erdhën në muajin korrik dhe po vazhdojnë edhe tash në gusht.

Gjatë muajit korrik, në Kosovë kanë vdekur 182 pacientë.

Më 1 korrik, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ishte raportuar për 54 pacientë të vdekur, ndërkohë që më 1 gusht, 236, pra 182 më shumë.

Kosova qëndron keq edhe me numrin e të infektuarve. Ka numrin më të madh në rajon e më gjerë për kokë banori. Kohëve të fundit, rrallë bie nën 200 numri ditor i të infektuarve. Po ashtu, edhe numri i të vdekurve ditëve të fundit ishte shpesh dyshifror. Më së shumti të vdekur u shënuan më 30 korrik – 16. Një ditë më vonë u shënuan 15.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, kanë pranuar se gjendja është e rëndë, por në asnjë rast se është jashtë kontrollit.

Deri më sot janë shënuar 256 vdekje si pasojë e COVID-19 dhe 9.049 raste pozitive.