Arbëri

Arsimi është lënë anash nga çdo qeveri

“Sektori i arsimit në Kosovë është buzë greminës”. Këtë mendim e kanë njohësit e çështjeve arsimore, sipas të cilëve, ndonëse u hartuan një mori ligjesh e reformash, shumica e tyre u plasuan pa përfshirjen e palëve relevante.

Rezultati i testit PISA i dha shtytje për të keq mendimit të njohësve, e që thanë se është i kotë premtimi i ministrit se testimi i ardhëm do të jetë më i suksesshëm, pasi nuk është bërë asgjë për ta ndryshuar rezultatin, raporton KTV.

Halim Hyseni, njohës i çështjeve arsimore, thotë se ndonëse ndryshimet nuk mund të bëhen për një vit, që nga paslufta, ka qenë kohë e bollshme që arsimi në Kosovë të përmendet për diçka të mirë.

Sipas Hysenit, tani është koha që të bëhen ndryshime rrënjësore, në të kundërtën Kosova edhe më tutje do thellohet në një greminë arsimore.

Ndërkaq, Rinor Qehaja, njohës i çështjeve arsimore, thotë se askush nuk mund ta mohojë që komplet sistemi arsimor i përket politikës, ndaj duhet bërë ndryshime që këtu, pasi politika duhet t’i largojë duart nga arsimi.

Pilotimi teksteve të ndryshuara shkollore dhe reformave të tjera, sipas psikologut Dashamir Bërxullit, mund të hutojë secilin dhe të çojë në një katrahurë arsimore.

Ai thekon se askush nuk mund ta ketë të lehtë absorbimin e një reforme brenda natës.

E, nga Ministria e Arsimit këtyre deklaratave u është kundërpërgjigjur kryetari i Komisionit të Maturës.

Ndonëse njohësi tjetër i çështjeve arsimore, Azem Guri, nuk është zgjeruar në tema të tjera, ai përmend testin e maturës sipas të cilit, ka arritur të përmirësohet jashtëzakonisht mirë.

Gjatë qeverisjes së kaluar, u tentua që të ndryshohet kurrikula mësimore, u tentua të aprovohet Ligji për Arsimin e lartë, u tha se testi i maturës do të mbahet në formë elektronike, por asnjëra nga to nuk u realizua.