Arbëri

Osmani: Numri i vdekjeve nga COVID-19 duhet të jetë alarm për institucionet

Descriptive Text

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për numrin e vdekjeve nga Covid-19 në dy ditët e fundit.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se vdekja e tyre duhet të shërbejë si alarm për institucionet.

“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid19. Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i jepin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti. Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda e për humbjen e madhe jo vetëm për familjet por për gjithë shoqërinë tonë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, nuk duhet injoruar këshillat e mjekëve për respektim të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.

“Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë. Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë ajo.