Arbëri

Ministrja e Punëve të Jashtme del kundër masave të propozuara nga Qeveria

Ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, ka dalë kundër masave të propozuara nga Qeveria ku bën pjesë, për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ajo në një postim në Facebook, ka thënë së kërkimi i një testi negativ për kosovarët që kthehen nga Shqipëria, është absurd.

Qeveria ka propozuar që qytetarët që qëndrojnë më gjatë se 48 orë në Shqipëri, gjatë kthimit duhet të prezantojnë testin negativ për COVID-19, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

“Propozimet për shtim të masave duke kërkuar testin negativ për hyrje nga kufiri me Shqipërinë, janë absurde, thënë më së paku. Është një numër i madh i qytetarëve tanë që veçse janë në Shqipëri, dhe në mungesë të testeve, është krejt absurde të vetizolohen rreth 100,000 qytetarë, pa asnjë bazë. Logjika e izolimit total kufitar, ka sjell vetëm dëme, sidomos për ata që kanë nevojë për trajtim shëndetësor jashtë Kosovës! Unë do të votoj kundër këtij propozimi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ka shtuar se masat e rekomanduara nga IKSHP duhet të respektohen maksimalisht nga qytetarët, por jo të ketë izolim.

“Higjienë, distancë dhe maskë! Kaq e thjeshtë”, ka thënë ajo.