Arbëri

756 profesionistë shëndetësorë të infektuar në Kosovë që nga fillimi i pandemisë

Foto: Ansa

Që nga regjistrimi i rasteve të para të Covid-19 në Kosovë e deri më sot, 756 profesionistë shëndetësorë janë prekur nga ky infeksion, ndërsa 3 mjekë kanë humbur jetën.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili ka bërë thirrje që të respektohen në maksimum masat mbrojtëse.

“Këtë javë kemi humbur tre profesionistë të nderuar të mjekësisë kosovare: profesorin Sylejman Rexhepi, kirurgun Ali Tolaj dhe mjekun familjar Fadil Zuka. Personeli shëndetësor nuk kanë nevojë që të tjerët t'u tregojnë atyre si ta bëjnë punën, ata kanë nevojë që secili të bëj kujdes maksimal, të zbatojë masat e thjeshta si bartja e maskës mbrojtëse, ruajtja e distancës (sociale e fizike) dhe higjienës. Kështu atyre u lehtësohet puna”, ka shkruar ai.

Hoti ka shtuar se humbja e çdo mjeku/infermieri apo profesionisti tjetër shëndetësor i bënë të gjithë më më të ekspozuar dhe më të pambrojtur para këtij virusi.

Ndërkaq sot Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me koronavirusin e ri.