Arbëri

Nga kuleta e shtetit do të mbulohen shpenzime pa limit për të akuzuarit e Speciales

Buxheti i Kosovës do të jetë në dispozicion për avokatët e të akuzuarve potencialë të Gjykatës Speciale, për familjarët e të akuzuarve, si dhe për të liruarit e mundshëm nga akuza.

Këtë mbështetje financiare, e cila është vendosur të realizohet në konfidencialitet, e mundësojnë tri udhëzime administrative, që i ka firmosur këtë javë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.

Dokumenti i parë garanton mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike për të gjithë të akuzuarit potencialë. Ai nuk vë ndonjë kufizim në pagesë, përkundër faktit se disa nga të dyshuarit e Speciales, sikur janë Hashim Thaçi e Sami Lushtaku, kanë angazhuar avokatë me nam ndërkombëtar.

Është neni 15 i këtij udhëzimi që nuk imponon tarifë fikse.

“Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike bazohet në: Tarifat e përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifat për avokatët në Holandë; tarifat e shtetit prej nga vjen mbrojtësi; si dhe tarifat për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara”, thotë 15 i UA për mbrojtjen juridike për të akuzuarit potencialë nga Specialja.

Dokumenti i jep autoritet suprem ministrit të Drejtësisë (16.2), për të vendosur mbi mbulimin e shpenzimeve të kësaj natyre, meqë në rastet kur komisioni nuk e aprovon të plotë kërkesën, pala mund t’i ankohet drejtpërdrejt ministrit, i cili nxjerr vendimin final.

Udhëzimi tjetër administrativ, që është miratuar, ua mundëson familjarëve të të akuzuarve mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, fjetjes dhe ushqimit, si dhe shpenzimet administrative, kur të shkojnë në vendin ku zhvillohen procedurat e Speciales.

Me mbështetje të këtillë, çdo i akuzuar do të ketë të drejtë të vizitohet brenda vitit nga 12 anëtarë të ngushtë të familjes. Për secilën vizitë do të hiqen shpenzimet për qëndrim treditor. Një dispozitë ia mundëson ministrit të miratojë vizita shtesë (Neni 6).

Ndërkaq, dokumenti i tretë garanton kompensimin e personave ndaj të cilëve është ngritur një akt akuzues dhe është zhvilluar procedurë gjyqësore, por të cilët me vendim të plotfuqishëm janë shpallur të pafajshëm.

“Për dëmin jomaterial/moral, në emër të dhimbjeve të përjetuara psikike/shpirtërore, frikës dhe turpit, për personin e shpallur të pafajshëm, për një ditë të privimit të lirisë, shuma e pagesës bëhet sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit në fuqi për kompensimin e personave të dënuar pa faj”, thotë neni 9 i UA për kompensimin e të akuzuarve nga Specialja, e të shpallur të pafajshëm

Fondet për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ, por edhe dy të tjerëve, është paraparë t’i sigurojë Qeveria.

Mbështetur në një shkresë të siguruar nga KOHA, ministri Selimi kishte kërkuar më 7 korrik nga kryeministri Avdullah Hoti që t’i vinte për miratim në Qeveri këto dokumente dhe që ato të firmoseshin nga kreu i ekzekutivit. Hoti nuk ka pranuar ta vërë firmën në to, ndonëse ministri kishte thënë se çështja ishte urgjente.

“Tashmë kam nxjerr aktet përkatëse nënligjore të cilat i parasheh Ligji nr. 05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.

Nenet respektive të Ligjit, ku parashihet nxjerrja e këtyre tri akteve, përcaktojnë që ministri i Drejtësisë i miraton këto akte, por po ashtu edhe neni 7 i ligjit përcakton se Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë do të sigurojë zbatimin e këtij ligji, deri në përfundim të zhvillimit të procedurave gjyqësore ndaj personave të akuzuar potencialë pranë Dhomave të Specializuara.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që kanë këto akte nënligjore, obligimet që derivojnë nga këto akte e kam parë të rrugës që Qeveria e Republikës së Kosovës të jetë e informuar dhe akter vendimmarrës. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, i kam përcjellë materialet përkatëse, për të parë se a ka ndonjë vërejtje apo propozim shtesë në lidhje me këto projekt-akte nënligjore nga kabineti qeveritar, që të procedoj tutje me nënshkrimin e tyre”, ka deklaruar Selimi.

Udhëzimet administrative janë hartuar në kohën kur pritet të konfirmohen aktakuzat e para nga Specialja, e cila ka në mandat t’i trajtojë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të përfshira në raportin e miratuar nga Këshilli i Evropës, e të hartuar nga senatori Dick Marty.