Arbëri

Nëpër komuna nis diagnostikimi i pacientëve pa testime, Prishtina aplikon ato serologjike

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nëpër komuna të vendit kanë filluar ta zbatojnë rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që pa i testuar fare t’i diagnostikojnë personat e dyshuar se mund të kenë koronavirusin.

E kjo praktikë po zbatohet që nga fillimi i kësaj jave, raporton KOHA.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se marrja e mostrave është ngarkesë shumë e madhe për stafin mjekësor.

Krasniqi shtoi se me rekomandim të IKSHPK-së mjekët do ta diagnostikojnë sëmundjen e ngjashme me COVID-19 derisa, sipas tij, diçka e ngjashme po bëhet edhe në shtetet e tjera.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se kjo praktikë megjithatë nuk është e përshtatshme, pasi që do të rritet edhe më shumë numri i rasteve pozitive.

Andaj, QKMF-ja në kryeqytet është duke aplikuar edhe testimin serologjik.

Edhe QKMF-ja në Fushë-Kosovë ka filluar ta zbatojë këtë metodë të rekomanduar nga IKSHPK-ja.

Sipas IKSHPK-së, duke u bazuar në rekomandimet e ​OBSH-së​, personat pa simptoma duhet të​ që​ndrojnë​ në​ vetizolim dhe të​ testohen vetë​m ata me simptoma si dhe ata me sëmundje të​ rë​nda kronike, ose ata që​ ishin në​ kontakt të​ ngushtë​ me një​ të​ infektuar.