Arbëri

4 të vdekur dhe 142 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Foto: Alban Bujari / KOHA

142 raste të reja janë regjistruar në Kosovë në 24 orët e fundit, është bërë e ditur nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

Ramadani, gjatë një konferencë të hënën pasdite po ashtu ka bërë të ditur për 4 raste të vdekjes të regjistruar në këtë 24-orësh, gjë që e çon në 139 numrin e përgjithshëm të vdekjeve.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 47 raste, komuna Gjilan 13 raste, komuna Mitrovicë 12 raste, komuna Gjakovë 9 raste, komuna Vushtrri 9 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Podujevë 6 raste, komuna Fushë Kosovë 5 raste, komuna Lipjan 4 raste, komuna Viti 4 raste, komuna Pejë 3 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Skenderaj 3 raste, komuna Rahovec 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Dragash 2 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Obiliq 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Deçan, Klinë, Malishevë, Shtime dhe Zveçan.

Janë testuar 485 mostra. Po ashtu në 24 orët e fundit janë shëruar 101 persona. Numri total i të infektuarve në Kosovë është 5877, ndërsa 3069 janë shëruar. 2669 janë raste aktive. 

Gjendja epidemiologjike është vlerësuar ndërkaq se po normalizohet.

Në gjitha spitalet e klinikat në kuadër të SHSKUK-së janë të shtrirë 564 persona që po trajtohen për COVID-19, ndërsa 303 prej tyre janë të konfirmuar me COVID-19. Në respiratorë janë 14 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj të hënën ka vizituar Gjilanin. Rezultatet janë bërë të ditura përmes një konference, gjatë qëndrimit atje. I pranishëm në konferencë ka qenë edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në po atë konferencë, ai e ka shpalosur përbërjen e Bordit 11-anëtarësh Këshilldhënës për Luftimin e COVID-19. Kryesues, si është bërë e ditur më herët, është caktuar mikrobiologu Lul Raka.

Gjatë konferencës kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, po ashtu foli se kohët e fundit po bëhen teste rapide ilegale në laboratorë privatë. Ai ka thënë se ato teste nuk janë të sigurta dhe se rezultatet e IKSHPK-së nuk kontestohen. 

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj pyetjeve se situata ka dal nga kontrolli. Ai ka thënë se duhet marrë statistikat zyrtare dhe se kohët e fundit po ka shumë lajme të rrejshme.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka folur për testet, duke thënë se testi PCR është më i sigurti, testi serologjik është për hulumtim shkencor për të parë se sa është mbuluar tufa. Do të bëhet hulumtimi. E testet rapide janë dukshëm më pak të besueshme se ato PCR apo serologjike.