Arbëri

Nuk ka të dhëna për përhapjen e pandemisë Covid-19 në komunitetin RAE

Descriptive Text

ADMOVERE e mbështetur nga KFOS ka publikuar raportin “Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid-19”.

Me këtë rast u tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.

Gjithashtu, nga hulumtimet e këtij raporti u bë e ditur se Ministria e Arsimit nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë.

Nga organizata ADMOVERE, Durim Jasharaj, ka thënë se gjatë hulumtimit kanë hasur në vështirësi në identifikimin e personave të prekur me covid-19 nga këto komunitet, për shkak se, siç ka thënë ai, Ministria e Shëndetësisë nuk i posedon këto të dhëna.

“Ministria e Shëndetësisë ne kemi dërguar edhe email. Përgjigja që na ka kthyer Ministria ka qenë bukur e mangët. Në këtë rast ka kthyer përgjigje Naser Ramadani, duke thënë që “Ne i trajtojmë qytetarët mbi principin e barazisë dhe nuk i ndajmë sipas etnisë”, pra në pyetjen tonë se sa romë, ashkali dhe egjiptian janë të prekur nga Covid-19, ata nuk kanë pasur asnjë statistikë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar, se këto komunitete nuk janë përfshirë as në pakon emergjente fiskale.

“Pakoja emergjente fiskale i ka gjithsej 15 masa. Ne mund të flasim më shumë për masën 9, ku thuhet se do të mbështetën iniciativat dhe projektet që kanë synim përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë. Mirëpo kjo masë ka pasur telashe të mëdha, kur kemi diskutuar me njerëz që mbrojnë të drejtat e komuniteteve. Është thënë që nuk është respektuar thirrja e konkursit për shkak se shumica e granteve që janë ndarë nuk janë ndarë për ato organizata që e kanë theks punën e komunitetit rom, ashkali, egjiptian. Sa dimë na është pezulluar ky konkurs dhe tash më nuk dihet nëse ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse, nga po e njëjta organizatë, Aulonë Memeti, ka thënë se Ministria e Arsimit, nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë.

“Nga 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin dhe parandalimin e Covid-19, është vetëm një vendim që lidhet me këto komunitete. Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë së Covid-19 te këto komunitete. Kur ne kemi kërkuar qasje në këto të dhëna janë thirrur në parimin e barazisë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të këtyre komuniteteve kur ka filluar mësimi në distancë. Mungesa e internetit dhe pajisjeve teknologjike ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në procesin edukativo-arsimor në komunat të cilat ne i kemi hulumtuar”, ka thënë ajo.

Ky hulumtim është zhvilluar në komunën e Ferizajt, Fushë-Kosovës dhe Lipjanit./KsP.