Arbëri

Surroi: Ende nuk është kuptuar sesa dramatike është situata me COVID-19

Foto: Koha

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se në Kosovë ende nuk është kuptuar sesa dramatike është situata me COVID-19.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se shembja shëndetësore, sociale, ekonomike dhe e sigurisë së vendit është lehtë e parashikueshme nëse nuk bëhet ndryshim dramatik në trajtimin e COVID-19.

“Më 13 korrik në Kosovë ka pasur 187 raste të reja të infeksionit. Në të njëjtën ditë, Italia dhe Gjermania kanë pasur në numra absolut MË PAK raste të infeksionit. Italia, me popullatë 33 herë më të madhe ka pasur 169 raste të reja, Gjermania me popullatë 46 herë më të madhe ka pasur 159 raste të reja. Ka edhe më keq: Italia bën 99 teste për një mijë banorë e Gjermania 76. Kosova për momentin nuk mbërrin të bëjë as një të katërtën e një testi për një mijë banorë. Kosova, gjatë gjysmës së parë të vitit e zuri veten duke promovuar si tema parësore natyrën e tregtisë me Serbinë – me apo pa taksa, me apo pa reciprocitet-dhe matësin e dashurisë ndaj Amerikës apo kësaj administrate amerikane. Në ASNJË pikë debati mbi drejtimin që ka marrë vendi nuk është shtruar si parësore çështja e shtrirjes dhe rritjes së numrit të testeve dhe ka të ngjarë që vendi në pjesën e dytë të vitit sërish të zihet me tema parësore tjera-negociatat, Gjykata speciale e kështu me radhë”, ka shkruar Surroi.