Arbëri

Hoti: Ka nevojë për rritje të vetëdijes te qytetarët për situatën me COVID-19

Pas mbledhjes së Komitetit për Menaxhim të Situatës me COVID-19, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se në Kosovë ka nevojë që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës me koronavirus.

“Jemi duke përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke ndërmarrë vendime adekuate. Kanë filluar punën spitalet rajonale për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër dhe pajisje përcjellëse dhe riorganizimin e kapaciteteve njerëzore, për klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë. Janë aktivizuar të gjitha shtabet lokale. Është bë plani i organizimit të Policisë për t’u dalë në ndihmë komunave. Ajo që është me interes është që të kërkojmë të zbatohet është funksionalizimi i shtabeve të fshatrave. Kemi shtuar kapacitetet e inspektimit dhe rezultatet e para kemi parë. Janë shqiptuar edhe gjoba për subjektet që s’kanë përfillur vendimet e Qeverisë. Duket se ka nevojë të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës. Ka raste kur qytetarët kanë rezultuar pozitivë e s’janë mbyllur”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Hoti ka thënë se po mendohet që të bëhet testimi i një mostre në nivel vendi për të pasur pasqyrë më të qartë të shkallës së infektimit në nivel vendi.

Takimi i këtij komiteti u mbajt pas shtimit të numrit të viktimave dhe shumë rasteve të reja me COVID-19 në ditët e fundit në Kosovë.