Arbëri

Një muaj i lëshimeve ndaj Serbisë dhe ndaj virusit vrasës

Foto: KOHA

Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka mbushur të premten muajin e parë prejse e ka nisur mandatin, periudhë kjo e karakterizuar kryesisht nga lëshime të bëra në raport me Serbinë e edhe nga heqja e përnjëhershme e masave mbrojtëse ndaj virusit SARS-CoV-2, që ka rezultuar me rekorde të të infektuarve, të të vdekurve e të shtruarve në spital. Veç për këto, kritika ka marrë edhe për ngjasimin me qeverinë e drejtuar nga koalicioni PAN, e kryesisht për numrin e zëvendësministrave.

Në mbledhjet e para të saj, Qeveria Hoti ka hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, e njëkohësisht ka vendosur të pezullojë procesin e lobimit për njohjen e Kosovës nga shtete e edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Po kështu ka lejuar edhe organizimin e zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë. Ndërkaq, pa një platformë dhe pa mbërritjen e konsensusit, kishte shprehur gatishmërinë për të rifilluar dialogun me Serbinë në takimin e Uashingtonit, ku ekipi kosovar do të udhëhiqej nga presidenti Hashim Thaçi, raporton KOHA.

Hoti është vënë në krye të ekzekutivit, pasi LDK-ja që e propozoi për kryeministër, paraprakisht bëri bashkë me opozitën votat kundër Qeverisë së LVV-së, që e udhëhiqte Albin Kurti.

LVV-ja vazhdon t’ia kontestojë kushtetutshmërinë Qeverisë së re dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Këtë e ka bërë edhe të premten, kur Arbërie Nagavci, nënkryetare e këtij subjekti politik që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, ka thënë se Qeveria Hoti është votuar për t’i shërbyer Thaçit në negociatat e tij me Serbinë.