Arbëri

UNFPA-ja kërkon ndalimin e martesave nën moshën 18 vjeçare

Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin e rregullt vjetor të popullsisë në botë, ku ngritë shqetësime të mëdha lidhur me të drejtat e grave.

UNFPA në Kosovë ndër të tjerash ka kërkuar që të ndalohen martesat nën moshën 18 vjeçare, për shkak të problemeve që ato sjellin sidomos për vajzat e reja, e që është një numër shqetësues sidomos te komuniteti rom në Kosovë.

Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e zyrës së UNFPA në Kosovë, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se janë evidentuar rreth 19 praktika që dëmtojnë dhe shkelin të drejtat elementare të grave.

“Dje është lansuar raporti, dhe sivjet e ka moton ‘kundër vullnetit tim’. Ka evidentuar praktikat që e dëmtojnë jo vetëm shëndetin e vajzës, gruas, por në radhë të parë thyhen të drejtat e tyre elementare. Në mesin e tyre janë gjymtimi gjenital, që në shumicën e rasteve bëhet në vendet afrikane, kemi martesat e hershme, testimin e virgjinitetit, abortin selektiv që për fat të keq është aktual edhe në Kosovë, e praktika të tjera si kufizimi në trashëgimi që i dëmtojnë vajzat e reja dhe gratë”, ka thënë ajo. “Në rajonin tonë, nuk kemi evidentuar raste të gjymtimit gjenital. Ekziston mundësia që të ndodhë një gjë e tillë në Evropë për shkak të migrimit, por në Kosovë kjo nuk ka ndodhur”.

Ajo ka shtuar këto nuk janë rituale fetare, si UNFPA thotë se kanë kërkuar që të luftohen këto tradita të dëmshme dhe aleatë të parë i kanë liderët fetarë, që është një partneritet shumë i mirë.

“Ligjet i kemi të shkruara mirë në letër, porse implementimi ngec, kështu që vetëm me ligje nuk ndryshohet mendësia e njerëzve dhe mentaliteti. UNFPA-ja është në bashkëpunim me liderët fetarë, shoqëritë civile e organizata të tjera. Ka raste kur ajo traditë është bërë në Angli, natyrisht në mënyrë ilegale, dhe kjo ka ndodhur për shkak të migrimit të personave nga vendet e Afrikës”, ka thënë Mujko-Nimani.

Ajo shton se shoqatat e grave në gjithë botën janë mobilizuar për të luftuar këto dukuri.

“Është edhe një praktikë tjetër, hekurosja e gjirit, që është ngjashëm me atë gjenital, që shkakton probleme e dhimbje të mëdha”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka folur edhe për abortin selektiv, që është dukuri mjaft e përhapur edhe në Kosovë.

“Raporti tregon se trendi po vazhdon, trendi normal tregon në mënyrë natyrale se në çdo 100 lindje të vajzave lindin rreth 105 djem, pra është një numër më i madh i djemve. Por, çdo numër më i madh i këtyre lindje të djemve rezulton se diçka në mënyrë artificiale po e shkakton këtë rritje. Në Kosovë e kemi rreth 109, më herët ka qenë më i lartë. Kurse i ngjashëm është edhe në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi. Azerbajxhani e ka njërën prej më të mëdhenjve, 114, që madje e ka kaluar edhe Kinën e Indinë, që kanë qenë të njohura për aborte selektive”, ka thënë Mujo-Nimani.

Raporti i UNFPA-së thotë se 140 milionë vajza humbin në nivel global, nuk lejohen të linden.

Tutje ajo ka folur edhe për martesat nën 18 vjeç që është dukuri në Kosovë, derisa ka theksuar se fatkeqësisht është një hapësirë ligjore që e lejon një gjë të tillë, por që kanë kërkuar që kjo të ndalohet decivisht.

“Në shumicën e vendeve martesa nuk lejohet nën 18 vjeç, mirëpo në Kosovë lejohet martesa nën 18 vjeç me pëlqimin e prindërve, psikologut, mjekut dhe gjyqtarit. Por, kjo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e vajzës, edhe të djemve, por rrezikshmëria është nga vdekja maternale e mos të flasim për problemet psiqike. Ne kemi iniciuar që ligji të mos e lejojë fare martesat nën 18 vjeç”, ka thënë ajo.

Mujo-Nimani ka shtuar se kjo dukuri është edhe më e lartë te komunitetet rom, ashkali, egjiptian e goran në Kosovë.

“Te komuniteti rom sillet deri në 43 për qind e vajzave kanë deklaruar se janë martuar nën moshën 18 vjeçare, e te djemtë vetëm 13 për qind. Këto martesa shumë shpesh bëhen në mënyrë jo legale”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për çështjen e testimit të virgjinitetit, për të cilën thotë se kanë dëgjuar se ka kërkesa edhe për kthimin e virgjinitetit te vajzat në Kosovë, porse s’kanë arritur ta dokumentojnë.

“Testimi i virgjinitetit, në Kosovë me ligj është i ndaluar testimi dhe aplikimi i rikthimit të virgjinitetit. Kjo tregon edhe se ku jemi si shoqëri, në kuptimin e standardeve të dyfishta, kur është puna ndaj virgjinitetit të djalit ka qasje tjetër, kurse ndaj virgjinitetit të vajzës ka qasje krejtësisht tjetër. Në mënyrë anektodale kemi dëgjuar se kërkesa ka, por në mënyrë të dokumentuar nuk kemi ende raste”, ka thënë ajo.