Arbëri

ZPS: Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit u publikua të mos rrezikohej procesi

Lëvizjen e sotme me publikimin e një aktakuze, e cila nuk është konfirmuar, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka arsyetuar me faktin se po të mos publikohej do të rrezikohej procesi. Kjo, sipas tyre, për shkak të tentativave të vazhdueshme të të dyshuarve, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që të shfuqizojnë Ligjin që mundëson punën e Speciales, raporton KOHA.

Ndryshimi i qëndrimit të 4 deputetëve të PDK-së në vitin 2015 kishte bërë që të votohen për herë të dytë amendamentet kushtetuese që mundësuan funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Por dy vjet më vonë, në një lëvizje të papritur, ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, e PDK-ja ndryshuan qëndrimin.

Thirrjet se Gjykata do të pastrojë luftën e UÇK-së u kthyen në kundërshtim për Specialen.

Menjëherë pas kësaj filluan tentimet e para për shfuqizimin e Ligjit që lejoi punën e Gjykatës dhe të Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Fillimisht, në dhjetor të 2017-s, organizatat e dala nga lufta filluan një peticion që kërkohej ndryshimi i këtij ligji.

Por kjo nuk mbeti tentativa e vetme.

Më 22 dhjetor të po këtij viti, 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës pas një seance të zakonshme filluan të mblidhnin nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të votohej rrëzimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

E menjëherë Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit atëherë, thirri mbledhjen e Kryesisë.

Një gjë e tillë kishte nxitur reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Thikë pas shpine e kishte quajtur këtë tentativë ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, e ai britanik – natën më të rrezikshme të pasluftës në Kosovë.

Por, një nismë të tillë e kishte mbështetur presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Nën presionin e ndërkombëtarëve, Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të thërriste seancën e jashtëzakonshme në mungesë të kuorumit, meqë LDK-ja dhe Vetëvendosje mungonin.

Vonë natën u thirr një mbledhje tjetër, e cila gjithashtu dështoi.

Gjithashtu, në mars të 2020-s, KOHA ka publikuar një letër që presidenti Hashim Thaçi i kishte shkruar sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku Thaçi ankohet për mospunën e duhur të Dhomave të Specializuara.

“Më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, thuhej në letrën e Thaçit.

Që nga funksionalizimi i Dhomave të Specializuara në Hagë janë intervistuar qindra ish-zyrtarë të UÇK-së.