Arbëri

Odat ekonomike i kërkojnë Kuvendit implementimin e masave në mbështetje të biznesit

Prishtinë, 23 qershor - Shpërthimi i pandemisë COVID-19 dhe kufizimi i aktiviteteve ekonomike me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ka bërë që gati të gjitha ndërmarrjet në Kosovë të ballafaqohen me vështirësi në operimin e tyre, mbijetesa e një pjese të të cilave rrezikohet në mënyrë serioze.

Me qëllim të mbështetjes së ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që nga ditët e para të shpërthimit të pandemisë kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të shtetit me qëllim të ruajtjes së ndërmarrjeve dhe vendeve të punës.

Meqë asnjë nga masat në mbështetje të bizneseve nga Pakoja Emergjente Fiskale nuk janë zbatuar deri në fund, edhe për shkak të nevojës së kryerjes së rishikimit buxhetor për vitin 2020, e pa të cilin nuk mund të fillojë as zbatimi i masave të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, kërkohet demonstrimi i konsensusit politik dhe veprimit të shpejtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për rishikimin buxhetor por edhe për aprovimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për financimin e masave të parapara për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë COVID19.

Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehin besimin e tyre se vonesa në implementimin e masave nga Pakoja Emergjente Fiskale si dhe nisjen e implementimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike do të vonojë edhe mbështetjen për shumë ndërmarrje të cilat sot ballafaqohen me vështirësi në operimin e tyre e rrjedhimisht do ta vonojë edhe rikuperimin ekonomik të vendit.