Arbëri

Tahiri: Ndalimi i vizitës tregon se Serbia s’është e gatshme për paqe

Descriptive Text

Pas ndalimi të vizitës së ish- presidentes Atifete Jahjaga në Beograd, ka reaguar edhe Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri.

Kjo e fundit thotë se e ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së Jahjaga, nga ana e autoriteteve të Serbisë. Tahiri thotë se me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve, raporton Tv Arta.

“Ministrja Tahiri theksoi se akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE, thuhet në komunikatën e kësaj Ministrie.

Ministrja Tahiri kërkoi nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur si dhe të mundësohet kjo vizitë që është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve.