Arbëri

Pas fitores së Vuçiqit vlerësohet e dobët pozita e Kosovës në dialog

Fitorja bindëse e partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në zgjedhjet e së dielës në Serbi, shihet si fuqizim i rolit të shtetit serb në dialogun Kosovë-Serbi.

Azem Vllasi, avokat dhe njohës i zhvillimeve politike, thotë se Vuçiqi do të vazhdojë të ndjekë politikën e kohës së Sllobodan Millosheviqit.

Sipas tij, takimi i 27 qershorit në Uashington nuk do të prodhojë një marrëveshje finale e as diskutime për njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se fitorja e Vuçiqit është e rrezikshme për stabilitetin në rajon, raporton KOHA.

Por, thekson edhe si mundësi që Bashkësia Ndërkombëtare të shfrytëzojë pushtetin e tij për arritjen e marrëveshjes mes shteteve dhe njohjen e Kosovës.

Derisa Vllasi thotë se pozicioni i Kosovës në dialog është i dobët dhe se vendi është nën mëshirën e BE-së dhe Amerikës, drejtori i Grupit Ballkanit për Politika, Naim Rashiti kërkon unifikim të skenës politike të Kosovës për dialogun.

“Jemi në mëshirën e amerikanëve dhe evropianëve. Sa i përket pozicionit negociues ne jemi më të dobët se në fillim, sepse skena politike është e ngatërruar. Ka fërkime të brendshme. Çkado që ndodh në Uashington, nuk do të pranohet nga opozita. Pozicioni i Kosovës është ashtu siç e kemi elitën politike”, ka thënë Rashiti.

Për çështjen e dialogut, në Beograd ka nisur vizitën emisari i BE-së për këtë proces, Miroslav Lajçak. Pas përfundimit të kësaj vizite, Lajçak pritet të bëjë publike datat e takimit në Bruksel mes dy shteteve.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit të 27 qershorit në Uashington, do të udhëtojë për në Moskë.