Arbëri

Jahjaga: Beogradi po vazhdon politikën e viteve të ’90-ta

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se përgatitjet për vizitën e saj në Beograd për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë, por sipas saj, këtë marrëveshje nuk e respektoi Beogradi.

Ish-presidentes nuk iu lejua vizita nga Beogradi zyrtar, derisa ajo ka thënë se shteti serb po vazhdon politikën e viteve ’90, transmeton Koha.net.

“Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit "Unë dua të dëgjohem" në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!", ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd. Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t'i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, ka shkruar Jahjaga.

“Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara. Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, ka shkruar ajo.