Arbëri

Familjarët e personave të zhdukur kundër takimit të 27 qershorit në Washington

Qe 21 vjet, Lutfije Ademi nuk e di se ku gjendet vëllai i saj që u zhduk gjatë luftës në Kosovë.

Për këtë shkak, ajo nuk po pajtohet që Kosova të rifillojë dialogun me Serbinë.

Vazhdimin e dialogut dhe takimi i Washingtonit po kundërshtohet edhe nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të personave të zhdukur, raporton KOHA.

Madje këta të fundit kanë paralajmëruar edhe protesta kundër vazhdimit të dialogut.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur po kërkon që Serbisë t’i bëhet presion për të treguar të dhëna për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave që u zhdukën gjatë luftës së fundit.

Kushtrim Gara nga ky institucion kërkon që çështja e të pagjeturve të jetë prioritet në dialogun Kosovë - Serbi.

Ndërsa Haki Kasumi nga Shoqata për hulumtime dhe fatet e personave të pagjetur thotë se për të arritur paqe është i domosdoshëm dialogu.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë ishte ndërprerë në nëntor të 2018-s, pasi Qeveria e Kosovë u kishte vënë taksë 100% mallrave me origjinë serbe.

Takimi i 27 Qershorit në Washington do t’i rikthejë palët sërish në dialog, pasi Kosova ka hequr të gjitha pengesat.