Arbëri

VV: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë cenim i integritetit e sovranitetit

Foto: Koha / ilustrim

Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë që do të organizohen edhe në Kosovë më 21 qershor, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se e cenojnë integritetin e vendit.

“Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke e trajtuar Kosovën edhe efektivisht si pjesë të saj, është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e VV-së.

KOHA dje ka raportuar se Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të bëjë grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

VV-ja, thotë se “Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime është strukur përballë ndërhyrjeve të Serbisë”.

“Me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë. Pas heqjes së masave të reciprocitetit dhe heqjes dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, kjo Qeveri brenda pak ditësh ka dorëzuar gjithçka që ka të bëjë me mbrojtjen e interesave shtetërore dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Kjo mënyrë e votimit, kur një shtet hapë vendvotime në territorin e një shteti tjetër është e pashembullt. Votues serbë ka edhe në vende tjera të rajonit, por Serbia askund tjetër nuk mund të hapë qendra të votimit, madje as në “ Republika Srpska””, thuhet në reagim tutje.

Vetëvendosja, me ish-kryeministër Albin Kurtin, sa ishte në krye të ekzekutivit mbajtjen e tyre e kishte vlerësuar antikushtetuese.

VV-ja thotë se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë shumë më shumë se sa për votën e serbëve janë ushtrim efektiv i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, nën një kohë kur Kosova ka marrë tatëpjetën me mohimin e subjektivitetit të saj sidomos para takimit të paralajmëruar më 27 qershor në Uashington.

“Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së përmbytur në varësinë nga Lista Serbe, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Qeveria e demaskuar tashmë po përpiqet të maskojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që do të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë, të organizuara nga autoritetet e saj në mes të ditës dhe në kundërshtim të hapur me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Rruga e nisur nga Qeveria e dalur nga vullneti i qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, thotë Vetëvendosja, duke vënë palëkundur barazinë dhe reciprocitetin, po shembët e po i vihet kundër shtetit të Kosovës nga kjo Qeveri ilegale dhe pa mbështetje popullore.

“Serbët e Kosovës, shtetas të saj, do të duhej të votonin si votues jashtë shtetit, ashtu siç votohet kudo në botë, qoftë përmes postës, qoftë në hapësirat e misioneve diplomatike. Edhe Kosova nuk do të duhej të përbënte përjashtim nga si sillen dhe veprojnë shtetet e pavarura kudo, madje edhe vendet e rajonit. Kjo pabarazi e Kosovës përballë Serbisë mbi çkado tjetër është heqje dorë nga vetja si shtet i pavarur”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke marrë për bazë praktikat e mëhershme.

“Nga viti 2011 ka një aranzhim në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar për organizimin e mbledhjes së votave në Kosovë. Unë kam lejuar mbajtjen e të njëjtave aranzhimeve që kanë ekzistuar në këtë lloj zgjedhje përmes OSBE-së”, ka thënë ai.