Arbëri

Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Zemajt: Gjynah për Kosovën kush synon ta drejtojë shëndetësinë

Foto: Koha

Ka vazhduar debati nga larg mes deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Kusari-Lila ka reaguar pas deklaratës së Zemajt i cili përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur Kusari-Lilës duke ia kujtuar akuzën nga Prokuroria Speciale për rastin e “faljes së hidrocentraleve”. Tash, Kusari-Lila në Facebook, e ka quajtur “gjynah për Kosovën se kush synon ta drejtojë sektorin e shëndetësisë në kohë pandemie”.

“Armend Zemaj paska reagu ndaj deklaratës time mbrëmë ku kam thënë se emërimi i tij në krye të ministrisë së shëndetësisë, si jurist me profesion, në kohë pandemie, është ofendim për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në reagimin e tij, juristi paska shpërfaq që jo vetëm nuk është i duhuri për Ministri të Shëndetësisë, por nuk merr erë as nga puna e juristit. Ai paska vendos ta bëjë edhe Gjykatësin në rastin e procesit gjyqësor. Sipas z. Zemaj, ngritja e aktakuzës qenka aktgjykim final. Pasi ka nevojë për informim, po ia rikujtoj: Jo vetëm që unë jam e pafajshme, por edhe prezumimi i pafajësisë nënkupton se çdo person i dyshuar ose që akuzohet për një vepër konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës. Sikurse që mëdyshjet lidhur me një vepër nuk kanë asnjë peshë juridike për sa kohë nuk janë vërtetuar me aktgjykim përfundimtar dhe pas një procesi të drejtë gjyqësor”, shkruan Kusari-Lila.

Prapë po e ritheksoj, shkruan deputetja Lila, “gjynah për Kosovën kush synon të drejtojë sektorin e shëndetësisë në kohë pandemie”.

Mbrëmë në Interaktiv, Kusari-Lila e konsideroi ofendim për qytetarët emërimin e Zemajt si ministër të Shëndetësisë.

LEXO EDHE: Kusari-Lila e konsideron ofendim për qytetarët emërimin e Zemajt ministër të Shëndetësisë

Më pas, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se “ka aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special) për krim të organizuar për shitjen dhe privatizimin kriminal të katër hidrocentraleve”.