Arbëri

Komisioni hetimor për menaxhimin e situatës me pandeminë me fokus në dy qeveri

Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se duke parë situatën e fundit të koronavirusit në Kosovë, komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e situatës me pandeminë do të ketë fokus jo vetëm në ish-qeverinë Kurti, por edhe në atë Hoti.

Në Interaktiv ajo ka thënë se ky komision hetimor ka mandatin për të bërë vlerësimin e tri proceseve.

“Është iniciativë e PDK-së. Partia që inicion kërkesën nuk mund ta udhëheqë dhe i takon partisë tjetër opozitare. Ka mandat të bëjë vlerësimin e tri proceseve, me menaxhimin e situatës shëndetësore, përfshirë furnizimin, e dyta ka të bëjë me zonën karantinë dhe menaxhimin e saj dhe e treta me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Duke qenë se për momentin jemi në mes të krizës, të paktën ashtu duket, pati dakordim që puna e komisionit të mos ketë fokus vetëm mandatin e Qeverisë Kurti, por edhe të udhëheqjes aktuale”, ka thënë ajo.

Sipas saj, aty janë vënë re edhe deklarime politike, por ka thënë se pret që në fund të ketë raport me publikim të fakteve e jo të deklaratave politike.

“Komisioni ka afat gjashtë muaj që të dorëzojë raportin në kryesi e të hapet diskutimi në seancë. Çka do të ketë raporti final nuk mund të paragjykoj. Kam propozuar që të ketë krahasime me vendet tjera. Rekomandimet tona duhet të jenë me kredibilitet e të ketë mësime të nxjerra nga menaxhimi i situatës tash nga dy qeverisje për shkak të rrethanave politike. Kemi tri faza, mbledhjen e dëshmive, intervistimi i dëshmitarëve dhe përgatitja e raportit. Vërehet tendenca e politizimit, por do të ftohet edhe ish-ministri Vitia, edhe ai aktual. Është IKSHPK-ja, personat e involvuar në qendrat operative emergjente, zyrtarë të aeroportit, policisë, menaxhim të qendrës zona karantinë. Kjo i përket ish-qeverisë pasi është përmbyllur zona e karantinës. Pjesa e rimëkëmbjes dhe vazhdimësia do të trajtohet në të dy administratat”, ka vazhduar ajo.