Arbëri

PDK: Qeveria Hoti po vazhdon gabimet e Kurtit në menaxhimin e pandemisë

Descriptive Text

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Kurtishi, ka akuzuar Qeverinë Hoti “se po i vazhdon gabimet e Qeverisë Kurti në menaxhimin e keq të pandemisë”.

Në një konferencë për media, Kurtishi ka thënë se Qeveria Hoti ka mungesë të fokusit ndaj pandemisë, ndërsa ka përsëritur thirrjet për rritjen e numrit të testimeve.

“Kemi tërhequr vërejtjen në vazhdimësi për vonesat dhe gabimet e bëra nga Qeveria e kaluar Kurti lidhur me testimet dhe masat e domosdoshme që duhej ndërmarrë. Po ashtu, është brengosëse mungesa e fokusit që Qeveria Hoti ka ndaj pandemisë, në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Rekomandimet tona për rritjen e testimeve u injoruan. Këto rekomandime ishin në përputhje me ato të OBSH-së, praktikave më të mira ndërkombëtare dhe objektivë e të gjitha qeverive në Rajon dhe Evropë”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për tubimin e organizuar javën e shkuar në Prishtinë. Ka akuzuar krerët e saj se “kur dolën nga pushteti, s’u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve”.

“Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti. Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Me keqardhje po vëmë re se edhe Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër Covid-19. Është e pajustifikueshme dhe e pandershme që të vazhdohet të thuhet se nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme, ose laboratorë, për të bërë testime. Kosova ka shumë ekspertë të zotë, që gjatë këtyre tre muajve mund të ishin angazhuar në testim, gjurmim, izolim dhe trajtim të koronavirusit. Dhe sot, kur është bërë hapja parë e ekonomisë, virusi është kthyer në përmasa të mëdha, ndërkohë që nuk kemi parë asnjë plan për ballafaqimin e kësaj situate. Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë aktuale që të mos i përsërisë gabimet e Qeverisë së kaluar, por të angazhohet sa më shpejt dhe me seriozitetin maksimal për ta ndalur përhapjen e rritjes rapide të koronavirusit”, ka shtuar Kurtishi.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 1615 raste pozitive me COVID-19, ndërsa e hëna shënoi ditën rekord me 129 raste të reja. Deri tash janë shëruar 938 persona. 34 kanë vdekur.