Arbëri

MASH-i thotë se testi i arritshmërisë do të mbahet

Descriptive Text

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se është vendosur për mbajtjen e testit të arritshmërisë për klasat e nënta.

Kjo sipas njoftimit, është bërë me kërkesë të Drejtorive Komunale në Kosovë, megjithatë nuk është njoftuar për ndonjë datë të caktuar se kur do të mbahet ky test.

Përmes një diskutimi me drejtorit e DKA-ve, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i ka njoftuar për dy vendimet që janë marrë për pezullimin e mësimit përgatitor për test të arritshmërisë në shkolla dhe organizimin e mësimit në distancë për maturantët, si përgatitje për Testin e Maturës.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se Likaj ka thënë se këto vendime janë marrë në bashkëpunim të ngushtë me MSH, IKSHP dhe Kolegjiumin e Drejtorëve Komunalë të Arsimit, ndërsa theksoi se takimi i sotëm është ftuar me qëllim që të propozohen zgjidhje rreth mbajtjes së këtyre dy testeve, për shkak të rrezikshmërisë së përhapjes së infeksionit.

“Po ashtu, ministri Likaj përmendi faktin se sot MSh ka bërë publik Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19 dhe theksoi se të gjitha vendimet që mund të merren duhet t’i përshtaten kërkesave të reja që dalin nga ky Manual dhe koha deri data e mbajtjes së testit të arritshmërisë është shumë e shkurtër”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, drejtorët e DKA-ve kërkuan që të mbahet testi i arritshmërisë dhe me kërkesë tyre u vendos që ky test të mbahet, pasi që drejtorët u deklaruan se komunat i kanë mundësitë që të zbatojnë masat mbrojtëse të kërkuara nga institucionet kompetente.

“Gjatë takimit, u diskutua edhe për përgatitjet që janë bërë për testin e maturës dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë u konstatua se vendimet do të merren konform rrethanave pandemike”, thuhet tutje në njoftim.

Testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta është paraparë të mbahet më 23 qershor.