Arbëri

Thaçi tre muaj më parë i besonte Mustafës, tash i beson IKSHPK-së

Foto: Alban Bujari

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është bashkuar të hënën thirrjeve drejtuar qytetarëve për kujdes dhe për respektim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në përballimin e emergjencës shëndetësore. Në konferencë për media ai ka folur edhe për insistimin e tij që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, qysh në muajin mars, kur në Kosovë ishin regjistruar vetëm 19 raste me COVID-19. Ndërmarrja e një veprimi të tillë ka thënë se ka qenë e partive politike. Nuk ka përmendur emra, ndonëse dihet se propozimin për gjendjen e jashtëzakonshme, disa orë para Thaçit, e pati dhënë vetëm kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Ideja e partive politike drejtuar presidentit të vendit ka qenë për gjendje të jashtëzakonshme. Unë e kam pasur për obligim kushtetues edhe ligjor ta diskutoj natyrisht, ta procedoj, por ajo që mund të them është se unë kurrë nuk kam pasur ndonjë pretendim entuziast sa i përket asaj gjendjeje, unë kam pasur për qëllim vetëm për të implementuar vullnetin e gjithë spektrit politik, por para së gjithash shëndetin e qytetarëve të vendit”, është shprehur Thaçi, raporton KOHA.

Sipas presidentit Thaçi, hapja e plotë që ka ndodhur tani ka edhe rreziqet e saj, por ka thënë se jetike tani mbetet zbatimi i rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Ideja ka qenë që tërë ajo rrethanë të jetë në interes të shëndetit dhe të kemi sa më pak viktima, dhe sa më pak të infektuar nga COVID-19... Tani jetike është zbatimi i rekomandimeve të Institutit Kombëtar, nuk kemi nevojë për rrethanë as të jashtëzakonshme”, është shprehur Thaçi.

Pas deklaratave të Thaçit ka reaguar ish-kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme nga Thaçi ishte menduar si kundërvënie e qeverisjes së mirë të partisë së tij dhe jo për situatën me pandeminë.