Arbëri

Osmani: S’pranojmë asnjë version dialogu ku negociohet territori i Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të pranohet asnjë version dialogu, me të cilin negociohet tërësia territoriale e Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Osmani sot është takuar me shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, me të cilën u bisedua për zhvillimet e fundit në vend, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Osmani dhe Apostolova folën edhe për rolin e Kuvendit në procesin e dialogut si dhe agjendën e Kuvendit në muajt në vazhdim.

“Procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë i kujdesshëm. Ne nuk pranojmë asnjë version dialogu, me të cilin negociohet tërësia territoriale e Kosovës. Kuvendi do të ketë rol të rreptë mbikëqyrës dhe do të insistojmë maksimalisht në rritjen e transparencës për procesin e dialogut. Gjithashtu do të kërkojmë raportim në Kuvend për secilën fazë të negociatave”, ka thënë Osmani. ​