Arbëri

Qeveri e dialogut “të shpejtë”

Descriptive Text

Nënshkrimi i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi në “Kopshtin e trëndafilave” në Washington, duke iu bashkëngjitur presidenti Thaçi, është misioni që i përshkruhet Qeverisë së re dhe kryeministrit Hoti, që nuk ka një bazë të fuqishme në numra.

Letra e presidentit amerikan Donald Trump, dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq, në fund të vitit 2018, sipas njohësve do të tentohet të jetësohet para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Trumpi i kishte shkruar Vuçiqit dhe Thaçit se do t’i mirëpresë në Shtëpinë e Bardhë në rast të arritjes së marrëveshjes, shkruan KOHA.

Krahas opsioneve dhe kompromiseve që mund t’i kërkohen Kosovës, e që mund të shkojnë deri në shkëmbim territoresh, ndërkombëtarët kërkojnë veprime intensive dhe të menjëhershme, duke filluar nga heqja e pengesave. Nyja kryesore është reciprociteti i vendosur nga ish-kryeministri Albin Kurti, arsye kjo që kishte çuar në inicimin e mocionit nga ana e Lidhjes Demokratike.

Një nga vendimet e para të Hotit doli të jetë pikërisht heqja e kësaj mase, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe bashkëngjitja në ekipin e presidentit Thaçi në negociatat finale. Të shtunën, Qeveria ka shfuqizuar vendimin nëpërmjet së cilës është vendosur masa e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Me varësinë që ka krijuar Qeveria nga Lista Serbe, njohës të rrethanave thonë se do të jetë e vështirë të tentohet diçka që shkon përtej interesit të tyre, rrjedhimisht Beogradit. Sfidat e tjera që i përshkruhen Qeverisë Hoti janë ballafaqimi me pandeminë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, sundimi i ligjit e menaxhimi i situatës pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.