Arbëri

Vetëvendosje e quan tradhti e skandal vetëdhunues heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar tradhti heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria Hoti. në një reagim pak orë pas vendimit të Qeverisë së re, VV-ja ka thënë se ky është skandal vetëdhunues.

“Tradhtia s’ka brirë. Qeveria Hoti, në të cilën nuk bën pjesë asnjë udhëheqës politik, por e sponsorizuar në prapaskenë prej Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe e mbështetur qyqarisht prej Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, shfuqizoi sot reciprocitetin. Tash e tutje Kosova e sunduar nga klika e mësipërme dhe nga qeveria kukull, ka hequr dorë prej emrit të saj ‘Republika e Kosovës’, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë ‘Kosovo i Metohija’. Ky skandal vetëdhunues u përshëndet menjëherë nga Vuçiqi. Veseli e të tjerët iu nënshtruan Hotit, shërbëtorit të radhës të çiftit Vuçiq-Thaçi. Arsyeja pse u përshëndet: sepse siç kishte deklaruar vetë Vuçiqi, reciprociteti po i kushtonte Serbisë miliona euro në ditë, para të cilat mbeteshin në Kosovë dhe ndihmonin biznesin tonë vendor”, ka thënë VV-ja në një postim në Facebook.

Vetëvendosje ka shtuar se reciprociteti ishte masë që duhej të kapitalizohej nga çdo politikan shqiptar.

“Edhe pse Vuçiqi në bisedë me kancelaren Merkel ishte deklaruar i gatshëm ta vazhdonte dialogun edhe me reciprocitet, gjë e cila do të duhej të kapitalizohej menjëherë nga çdo politikan shqiptar, pushtetarët e vjetër e hoqën reciprocitetin. Edhe pse kamionat e ardhur nga Serbia nisën të respektonin rregullat e reciprocitetit dhe të përdornin dokumenta me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, humbësit e zgjedhjeve e hoqën reciprocitetin”, ka vazhduar VV-ja.

Partia e ish-kryeministrit Albin Kurti ka akuzuar pushtetin aktual se nuk e sheh Kosovën si tokë të trashëguar e se si të ardhme njerëzve ua ofron “mërgimin, e si të tashme shkatërrimin e sovranitetit, dinjitetit, reciprocitetit, drejtësisë dhe zhvillimit”.

Kjo parti ka vlerësuar se mospajtimi i qytetarëve me pushtetarët është më i lartë se kurrë. Sipas VV-së, asnjë marrëveshje që mund të arrihet në këtë kohë “nuk do të mund të vihet në zbatim në këtë krizë legjitimiteti demokratik e politik, sepse shumica dërrmuese mbështet Vetëvendosjen, për reciprocitet e kundër copëtimit të vendit”.

“Por pakënaqësia e mospajtimi qytetar me këto vendime e me këtë qeveri, janë më të larta se kurrë. Thaçi mund të planifikojë që me një qeveri marionetash të bëhet president i fortë si Vuçiqi, por autokrati ynë, ndryshe nga autokrati serb, nuk gëzon asnjë grimë legjitimiteti demokratik. Thaçi dhe partitë e tij nuk i fitojnë zgjedhjet, populli u ka dalë kundër. Asnjë marrëveshje e asnjë vendim nuk do të mund të vihet në zbatim në këtë krizë legjitimiteti demokratik e politik, sepse shumica dërrmuese mbështet Vetëvendosjen, për reciprocitet e kundër copëtimit të vendit. Ata e hoqën reciprocitetin për të lidhur marrëveshjen e ligë, por kudo në botë, atyre që mendojnë se mund të merren vesh e të sundojnë pa popull, u del shpejt afati”, përfundon reagimi i VV-së.

Vendimi i Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit u vendos pak ditë pasi Avdullah Hoti u bë kryeministër. Të shtunën në mëngjes, qeveria e re shfuqizoi vendimin e 20 marsit të këtij viti, kur Qeveria Kurti kishte vendosur për zbatim gradual të reciprocitetit me Serbinë si dhe vendimin e 30 majit, për plotësim të masave në reciprocitet.