KFOR: Pa barazi gjinore nuk mund të përmbushim misionin tonë Foto: ilustrim

KFOR: Pa barazi gjinore nuk mund të përmbushim misionin tonë

01 qershor 2017 13:54

KFOR-i të enjten organizoi konferencë për Ditën e Perspektivës Gjinore të KFOR-it. U tha se KFOR-i synon mundësimin e një platforme për organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, KFOR-in dhe NATO-n, si dhe organizatat e sigurisë të Kosovës, për të diskutuar tema të lidhura me çështjet gjinore me fokus në “Perspektivën gjinore në siguri” dhe “Gjeneratën e re të Kosovës”.

Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, tha se për herë të parë deri më sot po organizojnë një ngjarje jashtë kampit të tyre, e një gjë e tillë sipas tij shërben për tu lidhur edhe më shumë me shoqërinë kosovare, transmeton kp.

“Perspektiva gjinore, kjo është pjesa e tretë e cila është diçka që po mundohemi të shohim në fushën tonë dhe qëllimi jonë është që të krijojmë një forum ku institucionet e rëndësishme të jenë në gjendje të kuptojnë njëri-tjetrin, njohurinë e shoqërisë, kulturës, zakoneve. Kjo është shumë e rëndësishme për neve, barazia gjinore po bëhet shumë e rëndësishme dhe nëse aspektet e barazisë ligjore nuk merren parasysh atëherë mund të jenë si pengesë për të përmbushur misionin tonë”, u shpreh Fungo.

Komandantja e NATO-s, Michelle Howard, tha se nevojitet kurajo e madhe për të ndërmarrë hapa drejt barazisë gjinore.

Malala Yousafazi, sipas Howard, është shembulli më i mirë se çfarë një femër e re mund të arrijë, përderisa tha se edhe 15-të vjecarët e Kosovës kanë mundësi të tregojnë potencialin e tyre.

Howard tregoi edhe pjesë të historisë së shqiptarëve, përkatësisht, ajo përmendi rolin e motrave Qiriazi të cilat, që siç tha ajo, ishin shembull i kurajos me hapat që ato ndërmorën për të mundësuar shkollimin e rinisë shqiptare.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila nuk mundi të ishte e pranishme në konferencë, kishte gjetur mënyrën virtuale për të dhënë porositë e saj me rastin e kësaj dite.

Ajo përmes një videoje u shpreh se pa fuqizimin e rolit gruas në shoqëri dhe institucione nuk do të ketë barazi ligjore.

Jahjaga tha se në FSK ka pasur rritje prej 9 përqind, derisa theksoi se trendet negative të pjesëmarrjes të grave në forcat e sigurisë mund të jenë edhe për shkak të mentalitetit partiarkal që mbizotëron. Kurse tha se një sistem i drejtë gjinor tregon se duhet të ketë më shumë gra të përfshira në forca të sigurisë.

Igballe Rogova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, theksoi se po vërehet një trend i shfrytëzimit të grave nga liderët politik duke iu dhënë atyre hapësirë vetëm në kohë fushatash.

Ajo preku tema të ndjeshme të gjendjes së gruas në shoqërinë e Kosovës si dhe trajtimin që iu bëhet kategorive të ndryshme të grave.

Ndërkaq, për Rudinë Jakupin, hulumtuese nga KCSS, zhvillimi ekonomik është një ndër faktorët kyç për gjendjen e gruas sot. Ajo tha se edhe nga hulumtimet që ka bërë del se gratë dhe vajzat në Kosovë hasin vështirësi të shumta në tregun e punës sot.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme