Arbëri

Ministri Vesel Krasniqi, nën hetime për mashtrimin e një mërgimtari

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Hoti, Vesel Krasniqi, është duke u hetuar për mashtrim.

Sipas dokumenteve që i ka siguruar KOHA, saktësisht dy vjet më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve të Veselit.

Ai së bashku me pesë persona të tjerë dyshohet që kanë mashtruar një qytetar që jeton në Norvegji. Rasti ka të bëjë me shitblerjen e një banese në Prishtinë.

Agim Kastrati ka paguar 60 mijë euro për këtë banesë, por ai thotë se ajo i ishte shitur dikujt tjetër para tij.

Megjithëse kundër Veselit ka aktvendim për hetimin e tij, ai nuk është intervistuar nga prokurorja e rastit.

Avokatja që e përfaqëson të dëmtuarin në këtë rast, Saranda Keqekolla ka thënë se hetuesia nuk e ka gjetur Krasniqin edhe pse ai ishte zëvendësministër.

Vesel Krasniqi në Qeverinë PAN ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë. Në atë kohë prokurorja e rastit kishte autorizuar policinë që ta intervistonte në cilësinë e të dyshuarit.

KOHA ka provuar të flasë edhe me ministrin Krasniqi, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Gjatë ditës mediat kanë raportuar se Krasniqi ishte i akuzuar edhe në një rast tjetër për vetëgjyqësi, porse në shkallën e parë është liruar.

LDK-ja si partia më e madhe e koalicionit pati premtuar se asnjë anëtar kabineti nuk do të kishte dosje penale.