Arbëri

Von Cramon: I papranueshëm presioni mbi disa deputetë në prag të votimit të Qeverisë Hoti

Descriptive Text

Të papranueshëm e ka quajtur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon presionin mbi disa deputetë, në prag të votimit për Qeverinë Hoti.

Këtë kritikë ajo e ka bërë përmes një reagimi të sajin, me ç’rast e ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Avdullah Hotin.

“Megjithatë, nuk mund t’i mbyllim sytë para rrethanave lidhur me zgjedhjen e Hotit. Anëtarët, e zgjedhur në mënyrë demokratike, të Parlamentit të Kosovës, ishin nën presion jashtëzakonisht të madh prej udhëheqësisë së LDK-së dhe prej presidentit Thaçi”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Parlamenti i Kosovës të mërkuren ka votuar për Qeverinë Hoti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria e re është miratuar me 61 vota për.

Von Cramon sqaron në deklaratën e saj se burime të ndryshme kanë pretenduar se presidenti ka vizituar personalisht deputetët, vota e të cilëve për qeverinë e re nuk ishte e sigurt.

“Nëse këto pretendime janë të vërteta, është ky sinjal jashtëzakonisht i keq dhe tregon se roli i parlamentit, që garantohet me kushtetutë, është i minuar. Duke qenë edhe vetë parlamentare, e konsideroj të papranueshëm presionin mbi anëtarët e zgjedhur të parlamentit. Është bazë e demokracive tona që deputetët të mund të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë”, ka vlerësuar ajo.

Von Cramon po ashtu e ka uruar Hotin.

“Do të doja t’i uroja suksese Avdullah Hotit dhe qeverisë së tij në Prishtinë. Qeveria ka shumë punë për të bërë, kjo është një periudhë e zorshme si për çështjet e brendshme, ashtu edhe ato ndërkombëtare, shpresoj që qeveria e re do të jetë në gjendje t’i zbatojë reformat dhe të punojë për një Kosovë më të mirë”, shkruan ajo.

Deputeti Haxhi Shala ka deklaruar të mërkurën se “pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish-kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”. Ndërkaq, presidenti Thaçi ka deklaruar se është i hapur të këshillojë këdo që i kërkon këshilla.