Studimet jashtë vendit, peng i nostrifikimit të diplomave

Studimet jashtë vendit, peng i nostrifikimit të diplomave

14 shkurt 2017 14:23

Të diplomuarit në drejtimin gjuhë dhe letërsi angleze në universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit, të cilët i kishin regjistruar studimet në vitet akademike 2011-2012 dhe 2012-2013, vazhdojnë që të përballen me telashin e nostrifikimit të diplomave të tyre.

Kësisoj po përballen me pengesa për vazhdimin e studimeve në nivelin master jashtë Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”. Lidhur me këtë çështje një grup i studentëve të drejtimit gjuhë dhe letërsi angleze të regjistruar në vitin akademik 2012-2013 dhe që kanë diplomuar në vitin akademik 2016 kanë reaguar publikisht, duke kërkuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë si dhe Agjencia e Akreditimit që ta zgjidhin këtë problem.

Menaxhmenti i UPZ-së ka konfirmuar se ka adresuar problemin në MASHT, teksa zyrtarët e lartë të kësaj ministrie kanë theksuar se janë duke bërë përpjekje për zgjidhjen e tij. Në një deklaratë të grupit të diplomuarve të drejtimit të gjuhës dhe letërsisë angleze, të gjeneratës 2012-2013, thuhet se ata kanë aplikuar për studime të nivelit master jashtë Kosovës, porse janë ballafaquar me probleme.

“Nga Agjencia e Akreditimit jemi njoftuar se drejtimi të cilin ne e kemi përfunduar në Universitetin Publik të Prizrenit nuk qenka i akredituar në atë vit akademik. Kjo ishte një befasi e madhe për ne dhe totalisht e papranueshme, pasi që ne jemi pranuar në një institucion publik të arsimit të lartë, duke u bazuar në konkursin e hapur, i cili njëherësh ka qenë i miratuar në tërësi nga MASHT-i dhe u jemi nënshtruar të gjitha procedurave përkatëse si atij të testit dhe procedurave tjera administrative”, thuhet në deklaratën e të diplomuarve.

Aty sqarohet se disa nga kolegët janë regjistruar në studime të nivelit master në universitete të Maqedonisë, pa e pasur këtë informatë dhe se kur është afruar afati i provimeve nuk kanë mundur t’u nënshtroheshin provimeve, meqë u është kërkuar që të sillnin diplomat e nostrifikuara... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme