Arbëri

Dekreti i presidentit për mandatarin shpallet kushtetues, LVV-ja paralajmëron revoltë

Descriptive Text

Dekreti për mandatarin, i nxjerrë nga presidenti Thaçi, është shpallur kushtetues. Kjo, pasi Gjykata ka konsideruar se votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re edhe pa partinë fituese. LVV-ja, që ka fituar garën elektorale të 6 tetorit, e ka kualifikuar skandaloz verdiktin dhe ka paralajmëruar rezistencë. Por presidenti dhe mandatari për kryeministër të ri e kanë mirëpritur e njëkohësisht kanë paralajmëruar se Qeveria e re do të votohet shpejt në Kuvend

Revoltë ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje (LVV) menjëherë pas publikimit të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet të cilit i hapet rrugë zgjedhjes së Qeverisë së re dhe lënien jashtë saj të partisë fituese. Pak orë para shpalljes së verdiktit, ky subjekt politik ka bërë edhe “provën gjenerale” për rezistencën në sheshet që mbërthejnë institucionet qendrore.

Nëpërmjet aktgjykimit, përfundimet e të cilit i ka publikuar në orën 22:29 të së enjtes, Gjykata e ka shpallur kushtetues Dekretin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i propozuar i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për ta formuar Qeverinë e re.

Gjykata njëzëri ka vendosur që Dekreti “është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës”, dhe ka konstatuar që “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit, dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës”. Ndërkaq, me shumicë votash ka vendosur që “Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës”.

Vetëm 45 ditë pas krijimit, Qeveria e drejtuar nga LVV-ja është rrëzuar me mocion mosbesimi, të cilin e kishte iniciuar vetë partneri i koalicionit – LDK. Pas kësaj, presidenti Thaçi kishte ndërmarrë veprime duke u thirrur në nenin 95 të Kushtetutës dhe, ndryshe nga dy mocionet e mëhershme, pas të cilave qytetarët u janë drejtuar kutive të votimit, pas këtij kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, kreu i shtetit ishte përcaktuar që t’i evitonte zgjedhjet dhe i kishte kërkuar LVV-së një mandatar të ri për kryeministër.

Ky nen kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Por akti suprem juridik qëndron i heshtur përkitazi me kohën kur nis të rrjedhë afati 15-ditor. Prandaj LVV-ja nuk ia kishte ofruar Thaçit emrin.

Presidenti e ka pritur vetëm 20 ditë LVV-në. Pas kësaj kohe e ka kapërcyer atë dhe ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër, ani se në shkëmbimin e letrave Kurti kurrë nuk e kishte thënë këtë.

Por Gjykata ka konsideruar se mos-saktësimi i afateve në Kushtetutë përkitazi me propozimin e kandidatit të parë për kryeministër nga partia politike ose koalicioni fitues, nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor. Sipas saj, fryma e Kushtetutës reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta, shkruan KOHA Ditore.

“Gjykata thekson që caktimi i mandatarit për Kryeministër nuk përfshin vetëm detyrimin e Presidentit për të dekretuar atë dhe as vetëm të drejtën e partisë politike fituese për të propozuar këtë mandatar, por përfshin edhe detyrimin e kësaj të fundit për të propozuar ose refuzuar që të propozojë kandidatin për Kryeministër. Më saktësisht, përcaktimi i mandatarit për Kryeministër ngërthen detyrimin e bashkëpunimit reciprok të Presidentit dhe partisë politike fituese në këtë proces”, thuhet në arsyetimin e Aktgjykimit. “Për më tepër, duke marrë parasysh natyrën teknike dhe formale të “konsultimit” për qëllime të caktimit të mandatarit të parë, e cila vë në lëvizje procesin e formimit të Qeverisë dhe afatet e parapara me Kushtetutë, Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme që ky “konsultim” formal duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”.

VV-ja e quan skandaloz vendimin e Kushtetueses

Image
Gazeta duke u thirrur në burime të saj kishte raportuar javën e shkuar se shtatë nga nëntë gjyqtarët ishin pro një afati 15-ditësh, brenda të cilit partia fituese duhet ta ofrojë mandatarin pas kërkesës që asaj ia bën presidenti. Aktgjykimi i plotë nuk është publikuar nga Kushtetuesja, por në pjesën e arsyetimit ku janë shtjelluar afatet për mandatarin, është theksuar se ato “reflektojnë qëllimin dhe rëndësinë që Kushtetuta i ka dhënë themelimit të shpejtë të Qeverisë, duke përcaktuar afatin pesëmbëdhjetë (15) ditor për kandidatin për Kryeministër, për të negociuar dhe arritur marrëveshjet për të siguruar votat e nevojshme të deputetëve të Kuvendit për Qeverinë e propozuar”.

Pas raportimit të gazetës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është kryetar i Vetëvendosjes, kishte paralajmëruar se nuk do ta pranonte një aktgjykim që nuk e interpreton Kushtetutën, por “shkruan” dispozita të reja kushtetuese. Ai ka insistuar se, pas mocionit, sikurse edhe herëve të tjera, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Vetë Kurti nuk ka reaguar pas shpalljes së verdiktit nga Kushtetuesja, por janë njerëzit me më ndikim në këtë parti që e kanë kundërshtuar atë, pasi kanë theksuar se me të Gjykata ka dalë nga mandati, duke “shkruar” norma të reja kushtetuese, ekskluzivitet ky që i takon vetëm Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit”, ka qenë reagimi i Albulena Haxhiut, ministre e drejtësisë në Qeverinë Kurti. “Vendim skandaloz”.

E Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, ka përmendur revoltën si kundërpërgjigje, duke thënë se ajo “vjen prej pakënaqësisë së natyrshme”.

“Provat gjenerale” të rezistencës në rrugë, LVV-ja i ka bërë më pak se gjashtë orë përpara se të publikohej verdikti i gjykatës. Kjo pari ka testuar në sheshin qendror të Prishtinës organizimin e një proteste në kushte pandemie. Ajo është mbajtur në tri sheshe të Prishtinës: Në “Skënderbeu”, në “Ibrahim Rugova”, si dhe në “Adem Jashari”, sheshe këto që i kufizojnë godinat e institucioneve qendrore – Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë.

Por, është autori i Dekretit që Gjykata e shpalli kushtetues, e edhe subjektet politike që sigurojnë pushtetin në Qeveri që kanë mbështetur verdiktin e Gjykatës.

Presidenti Thaçi e ka mirëpritur atë dhe ka thënë të ketë qenë i bindur se çdo hap që kishte ndërmarrë ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën. Ai ka kërkuar që verdikti të respektohet nga të gjithë.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka deklaruar Thaçi. “Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.

Hoti: Askush s’ka humbur me këtë vendim

Image

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, i propozuar nga LDK-ja, po kështu e ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses.

Avdullah Hoti ka thënë se është koha e bashkimit dhe se askush s’ka humbur me këtë vendim.

“Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka deklaruar ai. “Bashkë me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, do të punojmë me përkushtim për jetësimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike”.

Pavarësisht se elektoratit ia kishte premtuar partneritetin për një mandat, LDK-ja e ka shembur koalicionin me LVV-në, pasi gjeti mbështetje tek partitë që e kanë bërë Qeverinë në mandatin e shkuar, e që ishin të rreshtuara në koalicionin PAN – Partia Demokratike (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate. Tani LDK-ja ka marrë vendimin për bashkëqeverisje më shumicën e partive të PAN-it, por edhe me subjektet politike të komuniteteve pakicë, më kryesorja prej të cilave është Lista Serbe (LS).

Çarjet mes LVV-së dhe LDK-së, të nisura që në ditët e para të bashkëqeverisjes, kishin degraduar në pjesën e parë të marsit kur kryeministri Kurti shkarkoi nga posti i ministrit Agim Veliun, nënkryetar i LDK-së, që shihej si pykë në koalicion.

Veprimet që i kanë paraprirë mocionit kanë treguar se inicimi i tij ishte bërë në sinkron me presidentin Thaçi, i cili do që t’i hapet rrugë dialogut me Serbinë, në të cilin proces këmbëngul se ai duhet ta përfaqësojë Kosovën. E Beogradi zyrtar kishte refuzuar të kthehej në tavolinë, për aq kohë sa mbahej në fuqi tarifa 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë.

Ndryshe nga programi qeverisës, që të dyja partitë e kishin hartuar e miratuar në ekzekutiv, LDK-ja mbante anën e Thaçit përkitazi me tarifën që duhej hequr pa kushte kundër Serbisë. Nën arsyen se kjo po kërkohej nga Shtëpia e Bardhë, LDK-ja kërkonte që tarifa të hiqej dhe paralelisht kësaj të mos vendosej masa e reciprocitetit kundër Serbisë, pavarësisht faktit se vënia e raporteve reciproke i ishte premtuar elektoratit, ndodhej në marrëveshjen LVV-LDK, si dhe ishte bërë edhe pjesë e dokumentit kryesor që do të shërbente si udhërrëfyes i bashkëqeverisjes – Programit qeveritar.

I dërguari special i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për të cilin Kurti kishte thënë të kishte gisht në nismën për ta larguar nga Qeveria, ka thënë se të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e Hotit të LDK-së për kryeministër.

“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës”, thuhet në një komunikatë shtypi të lëshuar nga Grenell, pak kohë pas publikimit të vendimit të Kushtetueses. “Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe Qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe punë në rajon”.

Edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, ndërkaq, ka bërë thirrje që të gjitha institucionet dhe partitë politike të pranojnë vendimin.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në deklaratë. “Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një transicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Kjo ambasadë ishte e vetmja që ishte deklaruar pro seancës së Kuvendit, në të cilën në rend dite ishte mocioni i mosbesimit kundër Qeverisë Kurti.

Iniciativa e LDK-së për mocionin nuk qe stopuar, pavarësisht në kohën kur ishte ndërmarrë, pandemia COVID-19 kishte prekur 71 qytetarë dhe e kishte marrë jetën e parë. Deri tash mbi një mijë ka shkuar numri i të infektuarve e në 30 i të vdekurve.

Iniciativa nuk qe stopuar, pavarësisht thirrjes së qytetarëve që ishte shprehur nëpërmjet protestave nga ballkonet e shtëpive secilën natë, pavarësisht kërkesës së shoqërisë civile, e edhe apelit që e patën bërë shumë shtete, përfshirë ato të QUINT-it, si dhe një demarshi të shteteve me më ndikim në Evropë – Gjermanisë dhe Francës.