Arbëri

Japonia ndihmon Kosovën me 700 mijë dollarë për betejën me COVID-19

Japonia ka ndarë më shumë se 700 mijë dollarë për Kosovën në luftën kundër koronavirusit, ka bërë të ditur i ngarkuari me punë në Ambasadën Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, sipas një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë.

Kjo u bë e ditur në një komunikatë pas takimit që ministri Arben Vitia pati me Ogasawaran. Në njoftimin për media theksohet se Ogasawara ka thënë se “Japonia e sheh krizën COVID-19 si një krizë të sigurisë njerëzore dhe për këtë qëllim dëshiron ta ndihmojë Kosovën në përballimin e saj”.

“Për këtë qëllim, Japonia ka ndarë 718.200 dollarë për popullin e Kosovës përmes UNICEF-it”, ka thënë Ogasawara, sipas njoftimit.

Ai ka bërë të ditur se Japonia siguron produkte mjekësore, sanitare dhe higjienike si dhe mundësi për arsimim të vazhdueshëm për fëmijët.

“Është e rëndësishme që kontributi ynë të lehtësojë një shoqëri gjithëpërfshirëse bazuar në idenë e sigurisë njerëzore dhe që askush të mos mbetet prapa”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, sipas njoftimit, ministri Vitia ka njoftuar Ogasawaran për menaxhimin e pandemisë “ku kontributi ndërkombëtar, krahas organizimit të institucioneve të Kosovës, profesionistëve shëndetësor dhe qytetarëve, ka ndikuar që suksesi në menaxhimin e pandemisë në Kosovë të jetë i prekshëm”.

“Në këtë takim nga Ogasawara u bë e ditur se aktualisht Japonia po bën çdo përpjekje për të zhvilluar ilaçe kundër COVID-19 dhe ka vendosur të zgjerojë hulumtimet klinike mbi disa lloje të tyre përmes bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, me të cilat terapi do të ndihmohet edhe Kosovën në rast se do të ketë një valë të re eventuale të COVID-19”, përfundon njoftimi i MSH-së.