Arbëri

Edhe komunat me më së shumti raste aktive me COVID-19 kërkojnë shkurtimin e fazës së dytë të masave

Përderisa kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë shkurtimin e fazës së dytë të masave ndaj COVID-19, as këto aktualet nuk janë duke u respektuar nga shumë biznese.

Në Komunën e Skenderajt, ndonëse janë vetëm 6 persona të infektuar me koronavirus, shumë kafene janë parë plot me njerëz mbrëmjen e së premtes.

E, zyrtarë të kësaj komune i kanë thënë KTV-së se nuk janë të njoftuar për këto raste dhe se me lehtësimin e masave bizneset kanë mundur që t’i keqpërdorin. Megjithatë, kanë kërkuar angazhim më të madh nga Policia e Kosovës për identifikimin e tyre.

Udhëheqësit e Komunës së Ferizajt, që ka më së shumti raste me koronavirus në vend, 134 gjithsej dhe dy të vdekur, kanë kërkuar kalimin në fazën e tretë të lehtësimit të masave.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka thënë se këtë po e bëjnë në koordinim me të gjitha komunat, pasi më së shumti kanë pësuar bizneset.

Ai ka shtuar se nuk mund të garantojë që këto biznese, por edhe qytetarët, t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

Përderisa këtë të shtunë, Asociacioni i Komunave të Kosovës edhe zyrtarisht ka dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Pushtetit Lokal, kërkesën për rishikim të masave restriktive të fazës së dytë.

Sazan Ibrahimi nga AKK-ja ka thënë se u është premtuar se do të ketë rivlerësim të lehtësimit të masave gjatë fazës së dytë.

Është bërë vetëm një javë presje është bërë lehtësimi i masave ndaj COVID-19, kur më 18 maj ka filluar faza e dytë.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se faza e tretë është paraparë të nisë më 1 qershor, ndërkohë që është duke u bërë rivlerësimi për shumë veprimtari.