Arbëri

Kurti e Tërnava kërkojnë që qytetarët të shmangin vizitat tradicionale familjare për Bajram

Descriptive Text

Përmes një video-takimi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, kanë kërkuar nga qytetarët që të shmangin vizitat tradicionale familjare për nder të Fitër Bajramit, për shkak të rrezikut të shpërndarjes së koronavirusit.

Sipas një njoftimit nga Qeveria, në këtë takim online në prag të Bajramit, Kurti e Tërnava kanë folur për veçantinë e këtij muaji të Ramazanit, që kaloi nën masat e izolimit për shkak të koronavirusit.

“Ky muaj i shenjtë për myslimanët këtë vit ka qenë edhe më i veçantë. Gjatë tij, përpos vetëpërmbajtjes nga ushqimi dhe pija, dhe solidaritetit me ata në nevojë, është paraqitur nevoja edhe për përmbajte kolektive ndaj masave të Qeverisë dhe udhëzimeve të ekspertëve shëndetësorë për t’iu shmangur grumbullimit të turmave në hapësira të mbyllur dhe vizitave familjare, në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksionit me COVID-19. Myftiu Tërnava tha se respektimi i institucioneve dhe profesionalistëve të fushës është parim fetar kurse mbrojtja e shëndetit publik është obligim i atillë. Në shërbim kësaj, Kryeministri në detyrë Kurti dhe Myfitu Ternava përsëritën thirrjen drejtuar qytetarëve që t’i shmangin vizitat tradicionale familjare në nder të Fitër Bajramit pasi që virusi vazhdon të jetë në mesin tonë. Sipas ekspertëve shëndetësorë, përhapja me e madhe e virusit bëhet pikërisht gjatë vizitave familjare, në ​ambiente të mbyllura, ku ndërveprimi fizik është i afërt”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

“Relaksimi i masave nuk do të thotë relaksim i plotë dhe nënvlerësim të virusit. Kujdesi dhe vëmendja duhet të vazhdojnë të jenë e njëjtë”, përfundon komunikata.

Të premten, Bashkësia Islame njoftoi se për këtë Bajram nuk do të ketë organizim të faljes. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë të shtunën ka bërë të ditur se nuk ka paraparë masa të tjera pos atyre që tashmë janë në fuqi, derisa ditëve të fundit ishte aluduar ideja që të ketë orë policore gjatë kësaj feste.

Në Kosovë, deri tash janë regjistruar 1025 raste me koronavirus. Prej tyre 29 kanë vdekur e 782 janë shëruar. Xhamitë kanë qenë të mbyllura që nga nisja e masave të izolimit nga mesi i muajit mars.