Arbëri

Institucionet e Kosovës thonë se kufiri me Shqipërinë s’mund të hapet para qershorit

Kufiri mes Kosovës e Shqipërisë mund të jetë i pari që do të hapet në kuadër të lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në muajin maj vendi i tij do të hapë kufijtë për kosovarët dhe vendimi do të merret brenda pak ditësh.

Por, institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur se kur do të mund të hapen kufijtë tokësorë dhe aeroportet. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se për gjithçka ata u referohen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, raporton KOHA.

Përmes telefonit, Shpend Nuhiu, shef i kabinetit të ministrit të Brendshëm, ka thënë se ndonëse kanë bashkëpunim të mirë me të gjitha shtetet fqinje, nuk mund t’i komentojnë deklaratat e Ramës.

Kurse, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë detaje për bashkëpunimin që janë duke e pasur me ndonjë prej vendeve shtete, vetëm se janë në pritje të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për secilin veprim.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka njoftim zyrtar se kur do të hapen kufijtë, apo kur do të rifillojnë fluturimet e rregullta ajrore për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas. Meqë ende jemi në kohë pandemie, me masa kufizuese të lëvizjes sikur shumica e vendeve të botës, atëherë për veprime të mëtutjeshme në këtë aspekt duhet të presim rekomandimet e Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, kanë thënë nga MPJ-ja.

Në lidhje me hapjen e kufijve, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka treguar se fluturimi i parë Kosovë-Itali, pas disa muajve izolimi do të realizohet më 21 maj.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka thënë për KOHËN se janë duke pritur rekomandimet e IKSHPK-së për rifillimin e funksionimit të të gjitha linjave ajrore, por që kjo pritet të ndodhë pas 2 qershorit, kur pritet të nisë zbatimi i fazës së fundit të lehtësimit të masave.