Arbëri

Ramadani kërkon më shumë transparencë nga AUV-i në fazën e dytë të trajtimit të qenve endacakë

Elza Ramadani nga Fondacioni për të drejtat e kafshëve ka kërkuar më shumë transparencë e bashkëpunim nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit lidhur me fazën e dytë të trajtimit të qenve endacakë.

Ajo në Express Intervista të KTV-së ka thënë se, sipas AUV-it në fazën e parë në vitin 2018, janë trajtuar 14 mijë qenë endacakë.

“Është me rëndësi që ne si organizatë të jemi pjesë e një projekti të rëndësishëm sepse ne jemi ankuar vazhdimisht me u ndërmarrë diçka. Sa i përket të dhënave për vitin 2018 ne i kemi kërkuar nga AUV-i të gjitha të dhënat, ata kanë thënë që 14 mijë qenë janë trajtuar. Ne të gjithë jemi duke i analizuar raportet, jo pse po e vëmë në dyshim deklaratën e tyre, por se është mirë të analizohen për shkak të interesit të qytetarëve”, ka thënë ajo.

Ramadani tutje ka shtuar se AUV-i këtë vit iu ka dhënë më shumë qasje në monitorimin e punës.

Sipas saj, suksesi i projektit do të varet prej trajtimit të qenve, duke shtuar se Agjencia këtë vit e ka marrë më seriozisht punën.

“Kërkojmë më shumë transparencë. Këtë vit na ka dhënë shumë më shumë qasje AUV-i, na kanë dhënë pëlqim dhe autorizim që edhe ne të jemi pjesë e monitorimit të punës. Deri tash i kemi bë 10-15 vizita te veterinarët dhe trajtimi është më cilësor”, ka thënë ajo.

Duke folur për fazën e parë të projektit në vitin 2018, ajo ka thënë se nuk e dinë saktë se si janë shpenzuar 1.3 milionë euro.

Ramadani tutje është ankuar për kompaninë e cila ishte kontraktuar për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me trajtimin e qenve në fazën e parë të projektit, duke shtuar se përkundër që kanë pasur buxhet shtesë nuk kanë publikuar asnjëherë asnjë të dhënë.

“Ne nuk e dimë saktë se si janë shpenzuar 1.3 milionë euro në vitin 2018. Ajo çka na shqetëson më shumë është se në 2018 është kontraktuar një kompani për vetëdijesimin e qytetarëve dhe anketimin. Ky tender ka pas edhe një buxhet shtesë prej 111 mijë euro për vetëdijesimin e qytetarëve. Kompania ‘Mala Farm’, nuk ka sjell asnjë të dhënë sa i përket këtij projekti. Në 2020 projekti ka rifillu edhe po shpresojmë që këtë vit me shku më mirë”, ka deklaruar ajo.

Ramadani tutje ka shtuar se janë kundër eutanazisë masive dhe pa arsye të qenve.

Sipas saj, ajo aplikohet te kafshët që kanë sëmundje ngjitëse.

Duke folur për kapacitet monitoruese të organizatës, ajo thotë se nuk financohen nga askush dhe e gjitha është punë vullnetare.

“Ne do ta monitorojmë me vullnetin e mirë. Ne jemi një grup i vullnetarëve që kontribuojmë me punë dhe punojmë me financa tona. Ne do të dalim me një raport që tregon qartazi për çdo punë që do të bëhet. Shpresojë që edhe AUV-i do të jetë bashkëpunues. Që ky projekt të jetë i suksesshëm duhet të merren masa të tjera, ky projekt duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo të ndalet, duhet të regjistrohen qentë me pronarë, duhet të bëhet vetëdijesimi edhe i qytetarëve”, ka thënë tutje ajo.

Faza e dytë e trajtimit të qenve ka filluar në prill të vitit 2020 dhe do të zgjasë 12 muaj.

Sipas njoftimit të AUV-it, projekti parasheh: zënien e qenve, mjekimin (vaksinimin dhe trajtimet e nevojshme mjekësore), kastrimin, sterilizimin dhe në raste të veçanta eutanazinë kur qeni vlerësohet si i dyshimtë për përhapje të ndonjë sëmundje apo rrezik fizik. Për eutanazi vendosë veterinari duke respektuar aktet ligjore në fuqi. Të gjithë qentë të cilët do të trajtohen do të shënjohen me numra identifikues të cilët do të jenë lehtë të identifikueshëm.