Arbëri

Për rastet e reja me koronavirus në Gjilan, Haziri fajëson personelin shëndetësor të një klinike në Prishtinë

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka fajësuar një klinikë private shëndetësore në Prishtinë se është burim i ri i infeksioneve me koronavirus në Gjilan.

Sipas tij, rikthimi i rasteve është për shkak se një infermiere nga Gjilani ishte infektuar në vendin e saj të punës në Prishtinë dhe bashkë me një lehonë e familjet e tyre kanë rritur numrin ditëve të fundit.

Nga 24 rastet e reja me COVID-19 të martën, 14 ishin nga Gjilani.

“Ky është burimi i katërt në këto ditë të menaxhimit kundër COVID-19. Rikthimi është shkaku i një infektimi të një infermiere në një klinikë private në Prishtinë. Së bashku me një lehonë e natyrisht me kontaktet me familjarët e tyre dhe është rritur numri e nga 67 teste 14 të realizojnë të prekur pozitivë me koronavirus. Nesër do të vazhdojë vala e fundit e kontaktit për të mbyllur burimin e katërt të koronavirusit në Gjilan”, ka thënë ai në Interaktiv.

“Ky burim i katërt i virusit në Gjilan s'është si pasojë e shkeljes së masave nga qytetarët, por nga personeli mjekësor i një klinike private. Burimi del nga një spital privat. Dy rastet e fundit, burimet janë nga institucionet e kjo ka qenë frika nga fillimi që të mos preken institucionet. Kam pa një reagim të një klinike private e cila ka aluduar që burimi i infeksionit është në Gjilan, por nuk qëndron sepse personi që ka shkuar të lindë në Prishtinë ka shkuar me termin të mjekut, ka lindur natyrshëm, por më pas ka rezultuar pozitive pasi u konstatua se një infermiere nga Gjilani dhe një nga Obiliqi dolën pozitive”, ka thënë tutje Haziri.

Ai ka bërë të ditur se është rekomanduar që Pediatria në Gjilan të nisë punën pasi një pjesë e stafit kanë rezultuar negativë.

Gjilani deri sot i ka 75 të infektuar, 46 janë shëruar plotësisht, dy vdekje e i kemi raste aktive 26.