Arbëri

Beqiri: Infermierët të pakënaqur me Ligjin për paga, koronavirusit i jemi përgjigjur mirë

Descriptive Text

Përkundër kushteve të vështira të punës dhe pagave të ulëta, infermieret në Qendrën Klinike Universitare, thonë se përballen edhe me sfida më të rënda e që janë, mungesa e ligjit për infermierë dhe telashet me Ligjin për paga.

Drejtoresha e Infermierisë, Lirije Beqiri thotë se pavarësisht vështirësive, infermierët po e menaxhojnë shumë mirë situatën e krijuar me pandeminë Covid-19.

“Neve na mungon ligji për infermierë dhe ligji i pagave është pa tjetër sfidë e jona, pastaj edhe sfida të tjera shtesë, për shkak se ne si infermierë në përgatitjet shkollore që i kemi tash, kërkojmë që të kemi specializime të profesionit tonë”, thotë ajo.

Beqiri thotë se pavarësisht rrezikut nga pandemia Covid-19, puna dhe angazhimi i infermierëve nuk ka munguar, derisa theksoi se janë lajmëruar edhe vullnetarë, raporton KP.

“Në raport me Covid-19, janë përgjigjur jashtëzakonisht mirë të gjithë infermierët, e them këtë me plotë të drejtë për shkak se numri shumë i madh i infermierëve, si në Klinikën Infektive dhe ato përreth, në një farë formë janë paraqitur edhe vullnetarë për të kryer atë punë edhe pse ka qenë shumë e panjohur për të gjithë neve edhe për të gjithë globin, është sëmundje e panjohur mirëpo nuk kanë hezituar asnjëherë”, deklaroi ajo.

Ajo thotë se udhëheqësit e shtetit, kanë anashkaluar infermierinë në ligjin e pagave.

Derisa bëri të ditur se tani nuk ka infermierë vetëm me shkollë të mesme, mirëpo me ngritje të lartë akademike.

“Ne infermierët ballafaqohemi me shumë probleme, për shkak se vendimmarrësit, pra ata që hartojnë politika në një farë forme kemi qenë të pakënaqur sa i përket ligjit të pagave, me kategorizimin e infermierëve, ka qenë koha kur infermierë kemi pasur vetëm me shkollë të mesme dhe jemi pajtuar të gjithë me atë nivel të pagës, mirëpo me kalimin e kohës edhe infermierët kanë marrë ngritje profesionale, kanë ngritje akademike”, thotë ajo.

E në ditën ndërkombëtare të infermierëve, ajo i bëri thirrje këtyre të fundit të vazhdojnë të ofrojnë shërbime cilësore, në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve tanë.