Arbëri

Kryeziu: Skenarët që dalin jashtë rezultatit të 6 tetorit nuk çojnë lajm pozitiv te BE-ja

Zëvendësministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se pandemia nuk e ka ndalur punën e institucioneve të vendit për të përmbushur detyrimet që dalin nga agjenda evropiane.

Ai thotë se për shkak të rrethanave të krijuara janë pamundësuar takimet në mënyrë fizike, por sipas tij, të gjitha afatet kohore janë përmbushur me kohë me anë të video-konferencave.

Kryeziu në Express Intervistë të KTV-së ka thënë se Qeveria në detyrë ka përgatitur deri në finalizim planin e MSA-së.

“Pandemia e ka pamundësuar zhvillimin e aktiviteteve në mënyrë fizike, por çdo gjë brenda qeverisë ka funksionuar njëjtë. Të gjitha takimet janë bërë me anë të video-konferencave, afatet kohore dhe çdo gjë është përmbushur me kohë. Unë mendoj që çdo gjë ka shkuar mbarë. Pandemia është menaxhuar mirë nga institucionet vendore. Procesi integrimit evropian i ka shtyllën kryesore marrëveshjen e stabilizim asocimit, i cili fatkeqësisht është arritur vetëm 50 për qind deri tash. Detyra jonë parësore ka qenë rikthimi i ligjshmërisë brenda institucioneve. Kemi përgatitur deri në finalizim planin e MSA-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, sundimi i ligjit është kryefjala e rrugëtimit drejt BE-së.

Kryeziu ka thënë se është me rëndësi për qytetarët e vendit dhe institucionet e BE-së që Kosova të ketë një qeveri legjitime, qeveri të dalë nga populli, derisa ka shtuar se skenarët që dalin jashtë rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk do të çonin lajme pozitive te Bashkimi Evropian.

Duke folur për liberalizimin e vizave, ai ka thënë se korrupsioni dhe dënimi i profileve të larta ka qenë në vazhdimësi problem kryesor për liberalizim, duke shtuar se për 100 ditët e qeverisjes së Kurtit janë marrë një sërë masash për luftimin e këtyre dukurive.

“Ne e kemi marrë rekomandimin për liberalizim 2018 nga Komisioni Evropian, por Parlamenti dhe Këshilli nuk ka ndonjë dakordancë për këtë çështje. Korrupsioni dhe dënimi i profileve të larta ka qenë gjithmonë një nga problemet për liberalizim. Për këto 100 ditë janë marrë një sërë masash për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. E kemi filluar procesin sa i përket vetingut në nivel edhe të prokurorisë edhe gjyqësorit”, ka thënë ai.

Kryeziu ka folur edhe Samitin e Zagrebit. Ai ka thënë se kryefjalë e këtij samiti ka qenë pandemia.

Ai tutje ka shtuar se element pozitiv është deklarata se duhet të shkohet në një zgjidhje të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.

“Kryefjala edhe e samitit të Zagrebit ka qenë pandemia, një element pozitiv që duhet përmendur është që duhet shkohet në një zgjidhje të detyrueshme në mes dyja vendeve duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. Kjo e rikonfirmon deklaratën e pavarësisë dhe shkon drejt ruajtjes së pavarësisë. Sa i përket datave të vizave, unë jam i rezervuar dhe kjo i përket vendeve të BE-së. Ajo që i garantojmë qytetarët është se do të punojmë pa ndalë që do të punojmë pa ndalur në mënyrë që të ketë një vendimmarrje pozitive”, ka thënë ai.