Iniciativa e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani për Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e COVID-19, ka mbetur pezull në Kryesinë e këtij institucioni.
Kjo, pasi që nuk ka gjetur mbështetje nga grupet parlamentare të partive të përfaqësuara në Kuvend.
Nisma ligjore e filluar nga gjashtë deputetë ka hasur në rezistencë, thotë nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.
Ndonëse Gjykata Kushtetuese ka rekomanduar të hartohet një ligj i tillë, është pikërisht partia e kryeparlamentares Osmani që nuk e mbështet këtë nismë, raporton KOHA.
“Ai ligj i supozuar është i panevojshëm, sistemi ligjor ekziston dhe është efikas, po ashtu sistemi strukturor shtetëror është i rregulluar mirë. Improvizime të tilla, duke marrë parasysh edhe shkeljet që ia ka bërë Kushtetutës Qeveria dhe pastaj në emër të Qeverisë ministria e Shëndetësisë, për shkak të raporteve personale në mes të kryeministrit dhe presidentit janë të rrezikshme dhe nuk e kanë përkrahjen e GP të LDK-së”, ka thënë Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës thotë se do ta përkrahë këtë nismë kur të diskutohen edhe nismat që i kanë iniciuar ata vetë.
“Ne i kemi dorëzuar tri nisma ligjore në Kuvend, është diskutuar për to dhe të tri këto janë për të ndihmuar vendin për të luftuar pandeminë. Ne i kemi dërguar këto nisma në Kryesi, nuk janë vendosur në rend të ditës, presim që të shqyrtohen e pastaj edhe të votohen. Ne e përkrahim çdo iniciativë që e ndihmon vendin dhe është për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së
Rreth një muaj më parë, pasi që Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues vendimin e Qeverisë në detyrë për kufizim të lëvizjes, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani me pesë deputetë të tjerë inicioi nismë legjislative për Ligjin për pandeminë, por që nuk mori përkrahjen e partive politike as atëherë.
-
9 maj 2020 21:08
-
Shpërndaje në: