Arbëri

Kundërshtohet paralajmërimi i AAK-së se s’do të ketë vetting në gjyqësor

Rikthimi eventual i AAK-së në pushtet mund të anulojë procesin për verifikikim e të së kaluarës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ky ka qenë paralajmërimi për vettingun që ka dhënë në Interaktiv Selim Selimi, i nominuar për ministër të Drejtësisë në qeverinë e re që synohet të formohet.

Selimi ka thënë se meqë deri më tani me vetting janë marrë ndërkombëtarët, nuk ka nevojë që të krijohen mekanizma që, sipas tij, mund të kontrollonin Prokurorinë dhe Gjykatat, raporton KOHA.

Por, me një qëndrim të tillë nuk pajtohet ministria në detyrë e Drejtësisë, e cila thotë se do të vazhdojë punën për realizimin e vettingut.

Në anën tjetër, qasjen e kandidatit për ministër të Drejtësisë ndaj këtij procesi, në Institutin e Kosovës për Drejtësi e shohin si tentim për vazhdimin e kapjes së shtetit.

Tutje, Ehat Miftaraj nga IKD vlerëson se AAK-ja do që ta ndalë vettingun për t’i shpëtuar anëtarët e saj që kanë probleme me ligjin.

Ndryshe nga tani, AAK-ja këtë proces e kishte vlerësuar të rëndësishëm në vitin 2017, kur edhe e kishte bërë pjesë të programit të saj.