Sa është ndotja në lumin Sitnica nga termocentralet e KEK-ut

30 maj 2017 22:18

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar për nivelin e ndotjes në lumin Sitnica. Sipas këtij institucioni, ujërat që shkarkohen nga Termocentralet e KEK-ut po e ndotin tej mase lumin Sitnica, raporton TV ARTA.

Mirëpo, konstatimet e Avokatit të Popullit i ka mohuar KEK-u, duke thënë se ujërat që shkarkohen nuk tejkalojnë parametrin e lejuar.

Ndotja që po i bëhet ambientit në Komunën e Obiliqit nga Termocentralet e KEK-ut është në rritje.

Kështu të paktën ka konstatuar Avokati i Popullit.

Ky institucion, në një reagim, deklaron se nga matjet që janë bërë nga eksperti i Institutit Hidrometeorologjik, ndotja është mbi parametrat e lejuar në ujërat që shkarkohen nga Termocentralet në lumin Sitnicë.

“Në pikën e derdhjes hidraulike të Termocentralit Kosova A, vlera e pH-së

është 12.78, përderisa në grykëderdhjen hidraulike të Termocentralit B,

vlera e pH-së arrin në 12.98. Shmangiet nga standardet e pranueshme të derdhjeve industriale dëmtojnë cilësitë natyrore të ujit, në kuptimin cilësor dhe sasior dhe shkaktojnë pasoja afatgjata për njeriun dhe ekosistemin në përgjithësi”,

Por në reagim përmendet gjithashtu se janë marrë mostrat për të analizuar në mënyrë të detajuar nivelin e ndotjes.

Në Komunën e Obiliqit, thonë se kanë ngritur disa herë zërin për këtë çështje.

Shpresat i kanë në ligjin për Obiliqin, që sipas zyrtarëve të kësaj komune, zbatimi i tij do të ndikojë më shumë në mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkohë, nga Instituti Hidrometeorologjik kanë thënë se Avokati i Popullit është ngutur në reagimin e tij, pasi sipas tyre, ende janë duke u zhvilluar analizat.

Ndonëse e pranojnë se rezultatet e PH-së janë alarmante, thonë se ato mund të jenë të momentit.

Por, konstatimet e Avokatit të Popullit i ka mohuar KEK-u.

“KEK-u nuk është në dijeni me aktivitetin e Avokatit të Popullit dhe qëllimin e kësaj vizite, e cila ishte e pakoordinuar me zyrtarët përgjegjës të kësaj fushe, të cilët monitorimin e ujërave të shkarkuara nga KEK-u e bëjnë në vazhdimësi në mënyrë profesionale dhe gjendjen e raportojnë në institucionet relevante. Sidoqoftë, për hir të informimit të drejt të opinionit, jemi të obliguar që të sqarojmë se vendet e marrjes së mostrave të ujit, të paraqitura nga Avokati Popullit, nuk janë të qarta dhe të definuara dhe si të tilla nuk paraqesin realitetin e ujërave shkarkues nga KEK-u në Lumin Sitnicë”, thuhet në reagimin e kësaj koorporate.

Edhe Ministria e Mjedisit e ka vlerësuar të ngutshëm reagimin e Avokatit të Popullit.

Kjo ministri ka thënë se nuk mund të përcaktohet niveli i ndotjes n[p[rmjet një matje të vetme, për shkak se, sipas kësaj ministrie, një gjendje e caktuar aktuale nuk prezanton gjendjen e përgjithshme të nivelit të ndotjes së ujërave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme