Arbëri

VV dënon demolimin e shtëpisë së kandidatit për deputet, Sadri Ramabaja

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka thënë se gjatë ditës së djeshme, “persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar shtëpinë e kandidatit për deputet, Sadri Ramabaja, me ç’rast i janë shkaktuar dëme të shumta materiale”.

“Lëvizja Vetëvendosje e dënon ashpër këtë sulm vandal dhe fton organet e rendit që sa më parë të zbardhin të vërtetën, dhe fajtorët të vihen para drejtësisë”.

“Veprimet e këtilla nuk e frikësojnë e as nuk e zmbrapsin asnjë aktivist nga radhët tona. Angazhimi ynë për një shtet ku mbretëron drejtësia, rendi e ligji, nuk merr fund nga asnjë lloj presioni apo dhune, nga kushdo qoftë”, përfundon reagimi i VV-së.

Rastin e ka konfirmuar edhe vetë Ramabaja, i cili, përmes një postimi në Facebook ka thënë se pamjet dhe demolimi “ma kujtuan veprimin e policisë politike të Serbisë në vitin 1983, kur më kishin arrestuar për herë të tretë”.

“Cak i urrejtjes së këtyre shantazhuesve, që Policia ka gjasa t'i cilësoj si hajna ordinerë, kishte qenë biblioteka dhe tavolina e punës. Duket që urrejtja është zbrazur pikërisht në atë dhomë pune, ku është përfunduar studimi voluminoz “Federata Shqiptare - Kohezioni i shtetit-komb në BE” dhe ku janë shkruar e kanë marrë rrugën e publikimit me dhjetëra e qindra analiza të miat të publikuara në mediat tona dhe jashtë”, ka thënë Ramabaja.

“Sidoqoftë, ne nuk do të ndalemi së vepruari politikisht”, ka theksuar ai.