Arbëri

Mbyllet qendra tregtare në Mitrovicën e Jugut nga ku u regjistrua rasti i parë me koronavirus

Pas rastit të parë pozitiv të regjistruar me COVID-19 në Mitrovicën e Jugut, të menjëhershme kanë qenë masat e ndërmarra nga kjo komunë.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e marketit ku punëtorja kishte punuar dhe rezultoi pozitiv me testin për koronavirus, raporton KOHA.

Kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, tha se ditëve në vazhdim do të diskutohet për mundësinë e rihapjes së kësaj qendre për punë.

Derisa ka shtuar se janë lokalizuar të gjitha kontaktet e së infektuarës dhe se janë në pritje të rezultateve.

Përveç 8 familjarëve të së infektuarës, Bahtiri tha se edhe punëtorët e këtij marketi do t’u nënshtrohen testeve.

Ndërkohë që ka treguar se ata janë futur në vetizolim dhe se shtabi emergjent i kësaj komune është duke diskutuar për hapat në vazhdim ndonëse sipas Bahtirit, nuk ka vend për panik.

Pas këtij rasti, 96 persona janë evidentuar si raste kontakti me të infektuarën, ku 84 janë punëtorë të marketit, derisa 8 prej tyre janë familjarë.

Ndërsa biznesmeni Ramiz Kelmendi, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për mbylljen e objektit afarist që është në pronësi të tij pas infektimit të një punëtori me koronavirus.

Kelmendi ka shkruar në Facebook se biznesi i tij nuk duhet të mbyllet.

Ndërkohë që Policia e Kosovës ka ndaluar 3 persona nga Mitrovica e veriut dhe një tjetër nga jugu të cilët nuk kanë vepruar sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.