Arbëri

GJK-ja e shpall jokushtetues vendimin e MSH-së për shpalljen e Prizrenit “zonë karantinë”

Foto: Koha

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më konkretisht të ministrit në detyrë Arben Vitia, që shpalli Prizrenin “zonë karantinë”.

“Gjykata me shumicë votash, vendosi se Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë “të përcaktuara në ligj”. Gjykata qartësoi se “karantina” sipas Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse. Rrjedhimisht, Vendimi për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, u shpall jokushtetues”, thuhet në njoftimin e GJK-së.

Parashtrues, siç njofton GJK-ja, ishte Uran Ismaili dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.