Arbëri

Ahmeti mes Qeverisë e Presidencës, ka një mesazh për politikanët në kohë pandemie

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, është pozicionuar fizikisht mes Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës, nga ku ka bërë një apel.

Duke parë përplasjet e fundit politike, në kohë pandemie, Ahmeti duke ironizuar thirrjet për debate televizive thotë “Këtu jam, merreni kënd të doni”.

“Jam në mes të qeverisë dhe presidencës. Distanca e njëjtë. Veç dashta me ju thënë, unë këtu jam, t’u ju pritë jam, merreni kë të doni qitu më gjeni. Merrni ma shumë njerëz e ... hajdeni të shpërndajmë ndihma e pako ushqimore për ata që kanë nevojë. Leni këto sene, më mirë me ju ndihmu qytetarëve derisa kalon pandemia. Qitu m’keni”, shprehet Ahmeti.

Duket se Ahmeti ka aluduar tek përplasja mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilët dje patën një përplasje në distancë derisa Kurti i bëri ftesë për një përballje televizive. Në anën tjetër, Thaçi e quajti “organizatë kriminale” Vetëvendosjen.