Arbëri

Shoqëria civile e cilëson sulm mbi cilësinë në arsim propozimin e Likajt për ministër të Arsimit

Partia e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili disa herë kishte ndërhyrë në veprimtarinë e institucioneve të pavarura arsimore, pritet ta marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit.

Për ministër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar profesorin e Universitetit të Prishtinës, Ramë Likaj. Megjithatë, ky emër ka ngjallur reagime të shoqërisë civile.

Sipas Organizatës për Rritjen e cilësisë në arsim, Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të UP-së si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës e mashtrimit akademik. Propozimi i tij si ministër, sipas ORCA-s, është sulm direkt mbi cilësinë në arsim, shkruan KOHA.

“Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysmë, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit. Së bashku me 7 profesorë të tjerë, Likaj është avancuar përmes punimeve në revista false, të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike ta fryjnë numrin e punimeve”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë ka theksuar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.

Agron Demi nga Instituti “GAP”, në një postim në Facebook, ka shkruar se partia që e përjashtoi Kosovën nga Rrjeti Evropian i Sigurimit të Cilësisë, do ta udhëheqë Ministrinë e Arsimit.

Drejtimin e arsimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e kritikon edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, sipas të cilit gjendja në këtë sektor vetëm sa do të përkeqësohet.