Arbëri

Shqipëria vendos që të hapë dyert e shkollave vetëm për maturantët

Ministria e Arsimit e Shqipërisë, ka njoftuar para pak çastesh se viti akademik 2019-2020 do të mbyllet pa pasur mundësi që nxënësit e studentët të kthehen në objekte si pasojë e Covid-19.

Ministrja Besa Shahini, është shprehur se përjashtim bëjnë vetëm maturantët, për të cilët do të hapen shkollat nga 18 maji deri më 5 qershor për t’u përgatitur për provimin e Maturës shtetërore, transmeton Tch.

Shkollat dhe universitetet në Shqipëri do të rihapen në shtator, ndërsa prej datës 9 mars të këtij viti vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të situatë së shkaktuar nga pandemia.

“Ashtu siç ju kam premtuar dua t’ju njoftoj sot për vendimin që kemi marrë, për mbylljen e vitit shkollor. Kemi vendosur që shkollën ta hapim vetëm për maturantët, për disa javë”, tha Shahini.

Ministrja e Arsimit ka shpjeguar se viti mësimor nuk digjet dhe se mësimi në distancë do të përfundojë në fund të majit.

“Kemi vendosur të hapim shkollat për maturantët nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit. Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët. Me distancë 1.5 metra mes tyre dhe që numri të mos jetë më shumë se 10-12, maksimumi 15. Do të përdorim edhe disa shkolla 9-vjeçare afër të mesmeve” tha ajo.